Filmi zhvillohet menjëherë pas përfundimit të pushtimit nazist të Danimarkës dhe ndjek historinë e Marie, një shërbyese të re të interpretuar nga Mathilde Arcel. Marie është pranë martesës me punëdhënësin e saj të ve, një lidhje që i premton siguri dhe një jetë më të mirë, por e kaluara e saj kërcënon gjithçka. Gjatë luftës ajo kishte pasur një marrëdhënie me një ushtar gjerman dhe frika se ky sekret mund të zbulohet e vendos përballë pasojave të rënda shoqërore dhe personale.
“Woman Unknown” u vlerësua për stilin vizual, atmosferën psikologjike dhe mënyrën se si trajton pozitën e grave në një shoqëri të dalë nga lufta. Filmi është përshkruar edhe si një histori mbi kujtesën, pushtetin dhe përpjekjen e një gruaje për të ndërtuar një jetë të re mbi rrënojat e së kaluarës.
Triumfi i filmit u shoqërua edhe me një tjetër çmim të madh. Mathilde Arcel fitoi Kupën Volpi për Aktoren më të Mirë, duke bërë që “Woman Unknown” të marrë dy prej vlerësimeve kryesore të festivalit. Vendimi ishte një arritje e veçantë për filmin, pasi rrallëherë Venecia i akordon të njëjtës vepër si çmimin kryesor ashtu edhe një nga çmimet kryesore të interpretimit. Reuters e cilësoi rezultatin si një fitore të dyfishtë të rrallë për filmin dhe protagonisten e tij.
Në fjalimin e saj pas marrjes së Luanit të Artë, May el-Toukhy foli për vështirësitë e realizimit të filmit dhe për nevojën për të sjellë në vëmendje historitë e grave të harruara. Ajo falënderoi gjithashtu presidenten e jurisë, Maggie Gyllenhaal, e cila gjatë festivalit kishte ngritur shqetësimin për përfaqësimin e grave regjisore në konkurrencën kryesore. Në edicionin e këtij viti, “Woman Unknown” ishte filmi i vetëm në konkurrencën kryesore i drejtuar vetëm nga një grua.
Çmimi i Madh i Jurisë, i konsideruar si vlerësimi i dytë më i rëndësishëm pas Luanit të Artë, shkoi për filmin “Possible Love” të regjisorit koreanojugor Lee Chang-dong. Filmi rrëfen historinë e një çifti të pakënaqur në martesë, jeta e të cilëve ndryshon pas njohjes me një regjisore dokumentarësh dhe bashkëshortin e saj të pasur.
Çmimi Special i Jurisë iu dha dokumentarit “NAZA”, me regji të Yuval Abraham dhe Rachel Szor. Filmi, i prodhuar nga “The Guardian”, trajton pretendime mbi përdorimin e inteligjencës artificiale nga ushtria izraelite gjatë operacioneve në Gaza dhe bazohet në dëshmi të 24 personave të lidhur me ushtrinë izraelite, të cilët intervistohen në mënyrë anonime.
Filmi shkaktoi reagime të forta dhe debat të madh politik, ndërsa ushtria izraelite i ka hedhur poshtë kategorikisht pretendimet e paraqitura në dokumentar.
Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, Yuval Abraham foli për reagimet ndaj dokumentarit në Izrael dhe kritikoi ata që, sipas tij, e kanë sulmuar filmin pa e parë atë. “NAZA” ishte ndër veprat më të diskutuara të festivalit dhe premiera e tij u shoqërua me një pritje të fortë nga publiku.
Luani i Argjendtë për Regjinë më të Mirë shkoi për Ilya Khrzhanovsky për filmin “DAU”, një vepër biografike mbi jetën e fizikanit Lev Landau, fitues i Çmimit Nobel, dhe presionin që ai përjetoi për të punuar në programin sovjetik të armëve bërthamore. Filmi kishte shkaktuar polemika edhe para festivalit për shkak të financimit dhe disa prej qëndrimeve të lidhura me aktorët e projektit.
Kupa Volpi për Aktorin më të Mirë iu dha John Malkovich për interpretimin në “Wild Horse Nine”, me regji të Martin McDonagh. Malkovich luan një ish-agjent të CIA-s, i cili pasi diagnostikohet me kancer nis të vërë në pikëpyetje moralitetin e profesionit dhe zgjedhjeve të tij në jetë. Aktori nuk ishte i pranishëm në Venecia dhe e pranoi çmimin përmes një lidhjeje me video.
Ndër çmimet e tjera kryesore, “Un bon petit soldat” fitoi çmimin për skenarin më të mirë, ndërsa Malou Khebizi u vlerësua me Çmimin Marcello Mastroianni për aktorin e ri më të mirë, për rolin në “15/18 A Place to Heal”. Çmimi i Publikut Armani Beauty shkoi për “I Matter” të Alina Șerban, ndërsa Çmimi Luigi De Laurentiis për filmin debutues iu dha “House of the Wind” të Auguste Bernard Kouemo Yanghu.
Lista e fituesve kryesorë në Venecia 2026:
• Luani i Artë për Filmin më të Mirë: “Woman Unknown”-May el-Toukhy
• Çmimi i Madh i Jurisë: “Possible Love”- Lee Chang-dong
• Luani i Argjendtë për Regjinë më të Mirë: Ilya Khrzhanovsky- “DAU”
• Çmimi Special i Jurisë: “NAZA” – Yuval Abraham dhe Rachel Szor
• Skenari më i Mirë: “Un bon petit soldat”- Stephane Brize, Coralie Amedeo dhe Olivier Gorce
• Kupa Volpi për Aktoren më të Mirë: Mathilde Arcel-“Woman Unknown”
• Kupa Volpi për Aktorin më të Mirë: John Malkovich- “Wild Horse Nine”
• Çmimi Marcello Mastroianni: Malou Khebizi- “15/18 A Place to Heal”
• Çmimi i Publikut Armani Beauty: “I Matter”- Alina Șerban
• Çmimi Luigi De Laurentiis për filmin debutues: “House of the Wind”- Auguste Bernard Kouemo






















