Opinion 13 September 2026, 14:14 Nga VNA

Historia veç me tri shkronja

Ndaje në Whatsapp
Historia veç me tri shkronja

Nga Mirjon Brahimllari

Atje, në Hagë, pritet vendimi gjyqësor për katër Çlirimtarët. Këtu, në Shqipëri, një popull i tërë nuk pret thjesht një vendim gjykate, nuk pret thjesht liri për çlirimtarët e tij, por pret të shohë nëse historia e tij do të trajtohet me drejtësi. A mund të ndahet drejtësia nga historia? Kjo është një dilemë e madhe, aq e madhe sa duket se ka zënë ngushtë edhe vetë Gjykatën Speciale. Siklet që lehtësisht kuptohet nga ky gjykim i stërzgjatur disavjeçar, si dhe nga pothuaj 6 vite paraburgim të 4 liderëve politikë, të shtetit më të ri të Europës.

Në fakt, si mund të mos zgjaste e stërzgjatej një proces i tillë, ku vetë procesi, në krye të herës, u ngjiz nga përralla me shtëpi të verdha, të prodhuara nga përrallaxhinjtë më të mëdhenj të Europës moderne, Carla del Ponte dhe Dick Marti, një dyshe të cilën, për nivelin e shfrenuar të fantazisë, do ta kishin zili edhe Vëllezërit Grim.

Gjyqtarët, në këto 3 vite proces, mijëra faqe dokumentesh e qindra dëshmitarë të thirrur në sallën e gjyqit, doemos e kanë kuptuar tashmë se UÇK-ja nuk lindi nga hiçi, por lindi në një Kosovë ku gjenocidi, dhuna dhe shkelja e të drejtave themelore nuk kishin lënë alternativë tjetër. Për shqiptarët e Kosovës, lufta nuk ishte zgjedhje, por ballafaqim me realitetin që kishte ardhur deri në kufijtë e ekzistencës.

Kjo nuk do të thotë se çdo veprim i kryer gjatë luftës duhet të justifikohet. Asnjë flamur, asnjë uniformë, asnjë komandë dhe asnjë kauzë nuk e vendos njeriun mbi ligjin. Nëse një individ ka kryer krime, ai duhet të përgjigjet për to. Nëse provat nuk mjaftojnë për të provuar fajësinë, atëherë drejtësia duhet të ketë kurajën ta thotë edhe këtë.

Por ka rrezik që një gjykim individual të shndërrohet në një gjykim moral të të gjithë luftës së Kosovës. Kjo nuk duhet të ndodhë. Sepse një vendim gjykate nuk mundet dot të ndryshojë faktin historik se Kosova ishte nën gjenocid dhe se lufta e UÇK-së u zhvillua në rrethanat e një konflikti të armatosur që solli ndërhyrjen ndërkombëtare dhe përfundimisht çlirimin e Kosovës. Mund të gjykohen krime, mund të dënohen individë, por nuk mund të dënohet një popull pse luftoi për liri. Lufta e Kosovës për liri është historia e mijëra njerëzve që morën armët, e familjeve që humbën njerëzit e tyre, e të dëbuarve, e dëshmorëve, e të zhdukurve, e të rinjve që u nisën drejt fronteve pa ditur nëse do të ktheheshin, dhe e një shoqërie që kërkonte të drejtën për të jetuar e lirë.

Pritja për shpalljen e vendimit të Speciales, nuk e di pse, më sjell ndër mend vargjet e një kënge shumë adekuate për kohën në të cilën po jetojmë.

…Kujtoj tri shkronjat që na sollën festën,

kujtoj torturat, masakrën, protestën,

e mos thoni UÇK-ja ka bërë krime nëpër shkije,

se na kem luftu n’Kosovë e jo midis Serbie.

Thuj ç’ka t’dush nëse paske ç’ka me thanë,

veç jo për UÇK-në deri në qershor ’99…

E vërteta është se nuk mund të kriminalizohet një aspiratë kombëtare sepse në një luftë mund të jenë kryer edhe veprime të paligjshme nga individë. Historia e një populli nuk mund të vendoset në bankën e të akuzuarve bashkë me katër njerëz. Dhe, për ironi të fatit, historia përsërit herë pas here veten, sikur të dojë të tregojë me forcë e kryeneçësi që ajo nuk duhet të harrohet kurrë nga popujt.

Një shekull më parë (maj 1881), Abdyl Frashëri dhe Sulejman Vokshi, liderët politikë dhe ushtarakë të Lidhjes së Prizrenit, gjendeshin në burgjet e Turqisë, të akuzuar nga Perandoria Osmane se kishin kryer krime gjatë luftës për liri të popullit të tyre. Në dramën Epoka para gjyqit të Ekrem Kryeziut, është lapidare përgjigjja që Abdyl Frashëri i kthen kryetarit të trupit gjykues kur e pyet se përse mori pjesë në luftën për liri të popullit të tij… Që në fillim ju them, unë nuk mund të përgjigjem vetëm në emrin tim. Jam shumë i vogël në krahasim me popullin, të cilin nuk mund ta thërrisni në gjykim e ta dënoni ashtu si do të më dënoni mua. Unë nuk kam bërë asgjë tjetër, por si bir i mirë, kam ndjekur mendimin e tij…

Liderët e Lidhjes së Prizrenit u ulën në bankën e të akuzuarve të Perandorisë Osmane. Një shekull më vonë, në një tjetër sallë gjyqi, historia e Kosovës përsëri pret vendimin për njerëzit që e shkruan atë me luftë.

Ajo që duhet të ndodhë është se, nga njëra anë, Gjykata duhet të gjykojë njerëz konkretë, mbi prova konkrete dhe për përgjegjësi konkrete. Ajo nuk mund të zëvendësojë historianin dhe, aq më pak, nuk mund të japë një verdikt mbi një popull të tërë.

Nga ana tjetër, sido që të jetë ai, Kosova duhet ta presë vendimin e Hagës me dinjitet. 16 shtatori nuk duhet të jetë dita kur Kosova i kthen shpinën drejtësisë. Duhet të jetë dita kur Kosova i kërkon drejtësisë të mos i kthejë shpinën historisë.

Lufta për liri nuk e bën askënd automatikisht të pafajshëm. Por as një aktakuzë nuk e bën askënd automatikisht fajtor. Kjo është arsyeja pse, meqenëse erdhi puna deri këtu, Çlirimtarët duhet të gjykohen nga Specialja mbi prova dhe fakte, ndërsa UÇK-ja mund dhe duhet të gjykohet vetëm nga historia.

Dhe historia e Kosovës është shumë më e madhe se një sallë gjyqi në Hagë.

Video

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Një person me flamurin palestinez hyri me vrap në fushën e “Yankee Stadium” gjatë ndeshjes mes New York Yankees dhe New York Mets, më 11 shtator. Incidenti ndodhi në 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, në një mbrëmje kur në stadium po zhvilloheshin edhe aktivitete përkujtimore. Personi vrapoi në fushë me flamurin palestinez, përpara se të kapej dhe të rrëzohej nga punonjësit e sigurisë. Ai u shoqërua më pas jashtë fushës dhe ndeshja vijoi normalisht. Ngjarja tërhoqi vëmendje të veçantë për shkak të simbolikës së datës dhe ceremonive përkujtimore të zhvilluara atë mbrëmje.

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme