Sociale 13 September 2026, 13:41 Nga VNA

Një bonus nuk mjafton

Ndaje në Whatsapp
Një bonus nuk mjafton

  Ballkani po plaket, po humbet të rinjtë dhe po lind gjithnjë e më pak. Qeveritë e rajonit e kanë kuptuar rrezikun dhe prej vitesh po provojnë ta luftojnë me para, duke dhënë bonuse për të porsalindurit, shtesa mujore, subvencione banese, leje prindërore dhe përfitime që shtohen me numrin e fëmijëve.

Serbia ka arritur të ofrojë deri në rreth 27 mijë euro për fëmijën e katërt. Megjithatë, as paketat më bujare nuk po arrijnë ta kthejnë drejtimin demografik.

Në këtë hartë të zymtë, Shqipëria është rasti më ekstrem. Nga viti 1997 deri më 2025, lindjet u tkurrën me 63.5%, nga 61.7 mijë në vetëm 22.5 mijë. Sipas të dhënave të përpunuara nga Eurostat, kjo është rënia më e fortë në Europë gjatë 28 viteve të fundit.

Një pjesë e këtij fenomeni lidhet me ndryshimin e stilit të jetesës, që nuk është vetëm ballkanik, por më i gjerë në Europë e botë. Njerëzit martohen më vonë, gratë ndërtojnë karrierën përpara se të bëhen nëna, familjet janë më të vogla dhe prindërimi është bërë më i kushtueshëm.

Italia, Polonia apo Hungaria kanë provuar prej vitesh stimuj të ndryshëm, nga transfertat direkte deri te lehtësitë tatimore dhe mbështetja për strehimin. Rezultatet tregojnë se paraja mund ta lehtësojë vendimin për një fëmijë, por rrallë është në gjendje ta prodhojë atë.

Ndërsa shembuj të tjerë, si Franca, që ka arritur të ruajë një normë fertiliteti më të lartë se mesatarja europiane, dëshmojnë se politikat më të avancuara për pajtimin e punës me familjen, duke nisur nga shërbimet publike për fëmijët e vegjël, kanë ndikim, por diferenca lidhet edhe me faktorë kulturorë dhe me mënyrën se si perceptohet prindërimi.

Në Shqipëri, megjithatë, shpjegimi shkon më thellë. Vendi nuk ka vetëm problemin e familjeve që zgjedhin të kenë më pak fëmijë. Sondazhet kanë treguar madje se femrat lindin më pak sesa duan.

Ka edhe një humbje masive të njerëzve që duhet t’i krijonin këto familje.

Emigracioni shqiptar prej kohësh është përtej përmasave normale për një popullsi kaq të vogël.

Censi 2023 numëroi rreth 2.4 milionë banorë rezidentë, afro 420 mijë më pak se në vitin 2011. Largohen kryesisht njerëz në moshë pune, mes tyre shumë të rinj në vitet kur zakonisht krijohet familja.

Çdo vit, Shqipërisë i ikin neto rreth 30 mijë persona, me 70% e të cilëve janë nën 34 vjeç, sipas të dhënave nga lejet e qëndrimit për herë të parë, që raporton Eurostat.

Kjo është arsyeja pse kriza e lindjeve nuk mund të trajtohet vetëm si problem fertiliteti. Kur një çift 28-vjeçar vendos të jetojë në Gjermani, Itali apo një vend tjetër europian, Shqipëria nuk humbet vetëm dy banorë.

Humbet edhe fëmijët që ata do të kenë atje. Emigracioni, në këtë kuptim, nuk zbraz vetëm vendin sot; ai heq nga statistikat edhe lindjet e së nesërmes.

Përballë një mekanizmi të tillë, Bonusi i Bebes duket shumë i vogël. Skema nisi në vitin 2019 me 40 mijë lekë për fëmijën e parë, 80 mijë për të dytin dhe 120 mijë për të tretin. Atë vit u regjistruan rreth 28,600 lindje.

Në 2025, numri kishte zbritur në 22,541, mbi 20% më pak.

Kjo nuk e bën bonusin të panevojshëm. Për një familje që sapo ka sjellë në jetë një fëmijë, çdo ndihmë financiare vlen.

Por është e gabuar të presësh prej tij atë që nuk mund ta bëjë. Një çek paguan një pjesë të shpenzimeve të para, por nuk garanton pagën e muajit tjetër, nuk siguron banesë, nuk ndërton çerdhe, nuk krijon një vend pune të mirë dhe as nuk i jep një të riu bindjen se pas dhjetë vjetësh do të ketë këtu një jetë më cilësore.

Vetë modeli shqiptar e tregon kufirin e kësaj politike. Mbështetja përqendrohet kryesisht në momentin e lindjes, ndërsa kostot e prindërimit zgjasin për vite. Ushqimi, kujdesi shëndetësor, kopshti, shkolla, transporti dhe koha që prindërit humbin nga puna nuk mbarojnë kur arkëtohet bonusi.

Pikërisht këtu duhet ndryshuar këndvështrimi. Politika për lindjet nuk fillon në maternitet. Ajo nis shumë më herët, te paga që merr një 25-vjeçar, mundësia për të gjetur një punë të denjë, çmimi i një apartamenti, cilësia e shëndetësisë, arsimi që do të marrë fëmija dhe besimi se vendi po ecën përpara.

Një çift i ri sot nuk mund të sigurojë as nevojat minimale të jetesës, për shkak të qirasë së shtrenjtë, që është mbi 90% të pagës mesatare, e dyta më e lartë në Europë.

Për të mos folur pastaj për blerjen e një shtëpive, që është praktikisht e pamundur me rritjen e çmimeve të apartamenteve shumë më të shpejtë së të të ardhurave.

Gen Z nuk është brezi i viteve ’90, që kishte shumë më pak mundësi zgjedhjeje dhe lëvizjeje. Të rinjtë e sotëm krahasojnë në kohë reale pagat, kushtet e punës, shërbimet dhe standardin e jetesës me Berlinin, Milanon apo Vjenën.

Nëse diferenca bëhet shumë e madhe, vendimi për t’u larguar merret shpejt. Dhe një herë që familja ndërtohet jashtë, kthimi bëhet shumë më i vështirë.

Prandaj beteja demografike e Shqipërisë është para së gjithash betejë për cilësinë e ekonomisë. Vende pune që paguajnë mirë, profesione që krijojnë karrierë, strehim i përballueshëm, shërbime publike të besueshme dhe qytete ku mund të rritësh një fëmijë pa e konsideruar largimin si zgjidhjen më të mirë.

Nëse nuk ndryshojnë këto, mund ta dyfishojmë bonusin, mund ta trefishojmë dhe mund t’i shtojmë edhe një zero, por në fund të fundit nuk mund të blesh me një çek atë perspektivë që ekonomia nuk arrin ta ofrojë./ monitor.al

Video

Kampi IV në malin Everest po përballet me ndotje mjedisore. Në pamjet e publikuara shihen tenda të braktisura, bombola oksigjeni, kanaçe dhe pajisje të dëmtuara të shpërndara në zonën e kampit. Situata ka bërë që një nga vendet më të larta dhe më të vështira për t’u arritur në botë të ngjajë me një vendgrumbullim mbeturinash. Ndotja në Everest është një problem prej vitesh, ndërsa rritja e numrit të ekspeditave dhe alpinistëve që ngjiten drejt majës ka shtuar edhe sasinë e mbetjeve të lëna në mal.

Një ngjarje e rëndë e regjistruar nga kamerat në një restorant në Ohio tregon momentin kur Matthew Exton, 43 vjeç, ish-avokat dhe ish-prokuror lokal, i drejton armën në kokë ish-gruas së tij dhe tërheq këmbëzën. Arma nuk shkrepi pasi siguresa ishte ende e aktivizuar. Pak çaste më vonë, një kamerier ndërhyri dhe, së bashku me persona të tjerë në lokal, arriti ta neutralizonte. Prokuroria e cilësoi ngjarjen si një tentativë për “ekzekutim publik”. Exton është shpallur fajtor për tentativë vrasjeje dhe akuza të tjera, ndërsa dënimi pritet të jepet më 21 shtator.

Një person me flamurin palestinez hyri me vrap në fushën e “Yankee Stadium” gjatë ndeshjes mes New York Yankees dhe New York Mets, më 11 shtator. Incidenti ndodhi në 25-vjetorin e sulmeve terroriste të 11 Shtatorit, në një mbrëmje kur në stadium po zhvilloheshin edhe aktivitete përkujtimore. Personi vrapoi në fushë me flamurin palestinez, përpara se të kapej dhe të rrëzohej nga punonjësit e sigurisë. Ai u shoqërua më pas jashtë fushës dhe ndeshja vijoi normalisht. Ngjarja tërhoqi vëmendje të veçantë për shkak të simbolikës së datës dhe ceremonive përkujtimore të zhvilluara atë mbrëmje.

Mbi 100 notarë nga më shumë se 20 vende morën pjesë në “Albania to Corfu Swim 2026”, duke përshkuar rreth 3 kilometra në Detin Jon, nga Ksamili drejt Agios Stefanos në Korfuz. Aktiviteti ka si qëllim mbledhjen e fondeve për mbrojtjen e mjedisit detar.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme