Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka caktuar Albin Kurtin mandatar për formimin e Qeverisë së re të Kosovës, pas propozimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Vendimi është bërë i ditur nga vetë Haxhiu, e cila njoftoi se mandatimi është bërë në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe pas propozimit të subjektit politik që ka paraqitur kandidaturën e Kurtit për kryeministër.
“Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe pas propozimit të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, kam caktuar z. Albin Kurti mandatar për formimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës”, deklaroi Haxhiu.
Kryetarja e Kuvendit i uroi Kurtit sukses në ushtrimin e përgjegjësive të tij dhe shprehu pritjen që procesi për formimin e ekzekutivit të ri të përfundojë sa më shpejt.
“Z. Kurtit i uroj sukses në ushtrimin e përgjegjësive që burojnë nga besimi i qytetarëve, si dhe në formimin sa më të shpejtë të Qeverisë, në shërbim të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, u shpreh ajo.
Mandatimi pas konstituimit të Kuvendit
Mandatimi i Albin Kurtit vjen në të njëjtën ditë me konstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe hap një etapë të re institucionale drejt formimit të Qeverisë.
Procesi i konstituimit të legjislativit u shoqërua me zhvillime politike dhe kundërshtime nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK). Kjo parti bojkotoi seancën dhe njoftoi tërheqjen e përkohshme të kandidaturës së Vlora Çitakut për postin e nënkryetares së Kuvendit.
PDK-ja ka paralajmëruar gjithashtu se do ta dërgojë çështjen e procesit të konstituimit të Kuvendit në Gjykatën Kushtetuese.
Pavarësisht këtyre zhvillimeve, pas konstituimit të Kuvendit është ndërmarrë hapi i radhës institucional për krijimin e ekzekutivit, me caktimin e Albin Kurtit si mandatar për formimin e Qeverisë.






















