Opinion 1 September 2026, 19:17 Nga VNA

Kush po e qeveris sot Tiranën?

Ndaje në Whatsapp
Kush po e qeveris sot Tiranën?

Pyetja tingëllon absurde. Por situata është edhe më absurde.

Erion Veliaj është në paraburgim. Anuela Ristani, së cilës ai vetë i kishte deleguar kompetencat, nuk i ka më ato dhe është larguar nga Bashkia. Ndërkohë, nga paraburgimi, Veliaj po rimerr në dorë zinxhirin e komandës dhe firmën e institucionit.

Pra nuk kemi më vetëm një kryetar që po mbron mandatin e tij. Kemi një kryetar që po përpiqet ta ushtrojë pushtetin nga qelia.

Dhe kemi një kryeqytet që po mësohet me një skenë që do të dukej groteske po të mos ishte reale: Bashkia në qendër të Tiranës, kryetari në paraburgim dhe dokumentet që duhet të udhëtojnë mes të dyjave për të marrë firmë.

Por kjo histori nuk ka vetëm emrin e Erion Veliajt. Ka edhe atë të Edi Ramës.

Nuk ka prova publike se Rama i ka dhënë Veliajt një “OK” për lëvizjet e fundit. Ta shkruash këtë si fakt do të ishte spekulim. Por është po aq e vështirë të besosh se ajo që po ndodh në Bashkinë më të rëndësishme të vendit zhvillohet në një vakum politik.

Tirana nuk është një ishull. Këshilli Bashkiak kontrollohet nga shumica socialiste. Qeveria drejtohet nga e njëjta shumicë. Dhe Rama është jo vetëm kryeministër, por edhe kryetar i Partisë Socialiste.

Prandaj heshtja e tij nuk provon një marrëveshje me Veliajn. Por as nuk është politikisht neutrale.

Ndonjëherë pushteti nuk ushtrohet duke dhënë një urdhër. Ushtrohet duke vendosur të mos e japësh atë.

Rama sot ka arsye të qëndrojë mënjanë. Nëse përplaset përsëri me Veliajn, hap një front të ri politik dhe hyn sërish në territorin e mandatit që Gjykata Kushtetuese mbrojti. Nëse e merr hapur në mbrojtje, merr mbi vete edhe faturën politike të çështjes së tij. Nëse nuk bën asnjërën, Veliaj lufton betejën e vet dhe Rama ruan distancën.

Për politikën, ky mund të jetë një ekuilibër i leverdishëm. Për Tiranën është një absurditet.

Sepse qyteti nuk ka nevojë për taktika partie. Ka nevojë të dijë kush vendos, kush firmos dhe kush përgjigjet.

Sot këto tri pyetje nuk kanë domosdoshmërisht të njëjtën përgjigje.

Veliaj ka mandatin. Rama ka shumicën politike. Administrata ka qytetin për të menaxhuar. Dhe pushteti real endet diku mes Bashkisë, Kryeministrisë dhe paraburgimit.

Kjo bëhet edhe më serioze përballë drejtësisë.

Veliaj ka të drejtë të mbrojë lirinë dhe mandatin e tij. Ai prezumohet i pafajshëm dhe paraburgimi nuk mund të shërbejë si dënim paraprak. Por Tirana nuk mund të kthehet, as në mënyrë të tërthortë, në argument për lirimin e kryetarit.

Gjykata nuk mund të vendoset përpara ekuacionit: ose lironi Veliajn, ose Bashkia nuk funksionon.

Sepse atëherë do të krijonim një privilegj të frikshëm për çdo politikan të fuqishëm: sa më shumë pushtet të kontrollosh, aq më e vështirë bëhet për drejtësinë të veprojë ndaj teje.

Por ekziston edhe paradoksi i kundërt. Nëse Veliaj nga paraburgimi mund të tërheqë delegime, të ndryshojë zinxhirin drejtues, të japë udhëzime dhe të firmosë akte, atëherë pyetja nuk është vetëm sa e pengon paraburgimi të qeverisë. Është edhe sa larg Bashkisë është realisht.

Këtë duhet ta gjykojë drejtësia mbi fakte dhe ligj, jo politika.

Politikës i mbetet një detyrë shumë më e thjeshtë: të mos lejojë që kryeqyteti të shndërrohet në zgjatim të hallit personal të askujt.

As të Veliajt. As të Ramës.

Tirana nuk është pronë e kryetarit të Bashkisë. Nuk është as degë e Kryeministrisë. Është një institucion publik që duhet të funksionojë pavarësisht fatit politik apo penal të njerëzve që e drejtojnë.

Ndoshta kjo është edhe fotografia më e saktë e problemit shqiptar: ndërtojmë njerëz më të fortë se institucionet dhe pastaj habitemi kur, sapo njeriu bie, institucioni fillon të lëkundet.

Prandaj “Kush po e qeveris Tiranën?” nuk është më një pyetje retorike. Është akuza më e rëndë ndaj mënyrës si kemi ndërtuar pushtetin.

Një kryeqytet mund ta ketë kryetarin në paraburgim.

Por nuk mund ta ketë pushtetin në paraburgim.

Video

Një 19-vjeçar i identifikuar si Hasanal Arifin u kap nga një orangutan në kopshtin zoologjik Kasang Kulim në Indonezi, pasi kaloi barrierën e sigurisë dhe u afrua pranë kafazit për të filmuar një video. Pamjet e regjistruara tregojnë kafshën duke e tërhequr me forcë të riun nga bluza dhe këmba, ndërsa të pranishmit ndërhynë për ta shpëtuar. Stafi i kopshtit zoologjik e kritikoi veprimin për shkelje të rregullave dhe provokim të kafshës, ndërsa nga incidenti nuk pati të lënduar. Pas publikimit të videos, 19-vjeçari kërkoi falje publike për kapërcimin e distancës së sigurisë.

Një motoçiklist në Kolumbi përfundoi brenda një autobusi pasi me sa duket u përpoq të kalonte një kryqëzim me shpejtësi të madhe. Pamjet e CCTV tregojnë atë duke u ngjitur pa ndihmuar dhe duke u larguar, duke lënë motoçikletën pas.

Si e nisi e bitisi.

Shpëtimtarja iku, sepse tani e kërkon bota. Evis Sala erdhi me modernizim, digjitalizim, inteligjencë artificiale dhe premtimin për fuqizimin e Onkologjikut. Një vit më pas, ajo largohet për angazhime ndërkombëtare. Ndërsa pacientëve u mbetet të zbulojnë se ku janë “hapat e rëndësishëm” që u hodhën. Ndoshta nuk dimë t’i shohim. Ndoshta duhet inteligjencë artificiale. Tani mbetet vetëm pyetja: kush do ta bëjë të pamundurën të mundur për Onkologjikun?

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme