Opinion 25 August 2026, 12:36 Nga VNA

Qeveritë ndryshojnë, oligarkët mbeten: Kush e ka vërtet pushtetin në Shqipëri?

Ndaje në Whatsapp
Qeveritë ndryshojnë, oligarkët mbeten: Kush e ka vërtet

Nga Muriel

Sali Berisha tha se Partia Demokratike “nuk ka qenë, nuk është dhe nuk do të jetë
kurrë parti e oligarkëve”.

Është një fjali që funksionon në podium. Ka vetëm një problem: “kurrë”.

Sepse “kurrë” të detyron të hapësh arkivin. Privatizimet, koncesionet, financimet,
licencat. Të shohësh kush u rrit nën cilën qeveri dhe, sidomos, kush vazhdoi të rritej
pasi qeveria ndryshoi.

Aty historia bëhet shumë më pak e pastër.

Edi Rama nuk e shpiku oligarkinë shqiptare. E zgjeroi, e sofistikoi dhe, në shumë sektorë, e ktheu në mënyrë qeverisjeje: PPP, koncesione shumëvjeçare, investitorë
strategjikë, kulla, resorte, porte, aeroporte dhe kontrata që e lidhin shtetin me të njëjtat interesa private për dekada.

Por marrëdhënia mes pushtetit dhe parasë së madhe nuk filloi në vitin 2013.

Dhe këtu fillon problemi i Berishës.

Disa nga biznesmenët më të fuqishëm të Shqipërisë së sotme u rritën edhe kur PD ishte në pushtet. Morën koncesione, licenca, privatizime apo pozicione të
rëndësishme në sektorë strategjikë. Pastaj erdhi Rama dhe një pjesë e tyre vazhdoi përpara.

Kjo nuk provon korrupsion. Provon diçka tjetër: kapitali i madh shqiptar ka mësuar prej kohësh të mos varet nga rezultati i zgjedhjeve.

Rezart Taçi është rasti që e bën më të vështirë versionin e Berishës.

Në vitin 2008, gjatë qeverisjes së PD-së, u privatizua 85 për qind e ARMO-s, kompanisë strategjike të rafinimit të naftës. Raporti BTI i vitit 2012 shkruante më
pas për vendime në favor të kompanisë dhe për mbështetje financiare të Taçit ndaj partisë në pushtet, veçanërisht në periudha zgjedhore, si dhe për afërsinë e tij publike me kryeministrin dhe familjen e tij.

Nuk është provë penale dhe nuk duhet trajtuar si e tillë.

Por është më shumë se mjaftueshëm për të pyetur: nëse një marrëdhënie e tillë mes biznesit, privatizimit strategjik dhe politikës nuk hyn në diskutimin për oligarkinë,
atëherë çfarë hyn?

Pastaj është Bashkim Ulaj.

Kompani të lidhura me grupin e tij hynë në projekte e koncesione edhe gjatë qeverisjes Berisha. Në javët e fundit të asaj qeverie u miratua kontrata për
hidrocentralet në Valbonë.

Erdhi Rama.

Ulaj mbeti. Gener 2 vazhdoi të zgjerohej dhe të merrte pjesë në projekte të mëdha.

Atëherë, i kujt është oligarku?

Ndoshta pyetja është e gabuar. Ndoshta kapitali i madh shqiptar ka kuptuar diçka përpara nesh: partitë duhet të luftojnë me njëra-tjetrën; kapitali duhet të ruajë
marrëdhënie me të dyja.

Në The Godfather Part II, Michael Corleone thotë se miqtë duhen mbajtur afër dhe armiqtë edhe më afër. Politika shqiptare duket se ka versionin e saj: kundërshtarët mbaji larg; kapitalin gjithmonë afër.

Shefqet Kastrati tregon të njëjtën vazhdimësi. Në fund të qeverisjes Berisha, terminali privat i grupit Kastrati në Vorë mori statusin e zonës së përhershme doganore. Qeveria Rama e anuloi vendimin. Më pas terminali u rikthye në sistem.

Berisha iku. Rama erdhi. Kapitali mbeti.

Edhe Samir Mane kërkon kujdes. Berisha ka refuzuar publikisht ta quajë oligark, duke thënë se Mane nuk i kishte kërkuar favore. Dhe ka një pikë ku Berisha ka të
drejtë: nuk bëhesh oligark vetëm sepse je i pasur.

Por edhe historia e Balfin kalon nëpër disa qeveri. Në vitin 2013 grupi mori kontrollin e kompanisë që zotëronte koncesionin e kromit në Bulqizë dhe më pas u zgjerua
shumë më tej.

Këtu lind pyetja që politika shqiptare shmang prej vitesh: ku mbaron sipërmarrësi i suksesshëm dhe ku fillon oligarku?

Problemi nuk fillon domosdoshmërisht kur biznesmeni shkel ligjin. Fillon kur bëhet aq i fuqishëm sa nuk ka më nevojë ta shkelë. I mjafton të ketë forcën për të ndikuar
mënyrën si shkruhen rregullat.

Atëherë pasuria bëhet pushtet.

Dhe këtu PD duhet të jetë e kujdesshme me moralin që predikon.

Një opozitë nuk mund të denoncojë paradite oligarkët që punojnë me qeverinë dhe pasdite të kërkojë mirëkuptimin e të njëjtit kapital në dreka, darka apo kafe larg syrit
të publikut. Nëse takime të tilla zhvillohen me njerëz që kanë interesa të mëdha te kontratat dhe vendimet e shtetit, ato duhen bërë transparente.

Sepse opozita nuk duhet të jetë thjesht qeveria e ardhshme në pritje. Duhet të jetë alternativa ndaj mënyrës si qeveriset.

Nëse ndryshojnë vetëm njerëzit që ulen në tavolinë, por marrëdhënia mes politikës dhe kapitalit mbetet e njëjtë, nuk kemi ndryshim sistemi.

Kemi vetëm ndryshim kamarierësh në të njëjtën tavolinë.

Në The Godfather, pushteti vjen me ofertën që nuk mund ta refuzosh. Në demokracitë e kapura është më elegante. Nuk nevojitet kërcënimi. Mjaftojnë
kontrata, koncesioni, financimi dhe aksesi.

Sidomos aksesi.

Sepse ai është valuta që nuk figuron në bilancet e partive.

Prandaj, kur fjalët bëhen shumë të bukura, mbetet një rregull i vjetër: ndiq paranë.

Kush e financoi partinë? Çfarë marrëdhënie kishte me shtetin? Çfarë mori para financimit dhe çfarë mori pas tij? Kontratë? Koncesion? Licencë? Privatizim?

Këto nuk janë akuza. Janë pyetje që një demokraci duhet t’i bëjë.

Dhe pastaj vjen prova e vërtetë.

Nëse nesër PD vjen në pushtet, a do t’i hapë kontratat? A do t’i auditojë PPP-të? A do t’i publikojë financuesit e saj dhe takimet e qeveritarëve me biznesmenët që kanë
interesa te shteti?

Mbi të gjitha: a do të prekë interesat e një biznesmeni që e ka ndihmuar politikisht, nëse interesi publik e kërkon?

Aty ndahet një parti anti-oligarkike nga një parti që përdor oligarkinë si slogan.

Sepse është shumë e lehtë të luftosh oligarkun e kundërshtarit.

Është shumë më e vështirë të luftosh sistemin që mund të financojë nesër ty.

Kjo nuk e shfajëson Ramën. Përkundrazi. PPP-të, koncesionet, investitorët strategjikë dhe përqendrimi i kapitalit gjatë qeverisjes së tij meritojnë një audit shumë më të thellë.

Por Berisha nuk mund ta luftojë sistemin duke i ndryshuar datën e lindjes.

Sepse oligarkia shqiptare nuk ka nevojë për teserë partie.

Ka nevojë për akses.

Qeveritë ndryshojnë. Kryeministrat ndryshojnë. Ministrat ikin. Oligarkët mbeten.

Dhe prova e PD-së nuk është sa fort e shqipton sot fjalën “oligark”.

Është nëse nesër do të jetë e gatshme t’u mbyllë derën edhe atyre që sot mund t’ia hapin asaj.Sepse, në fund, lufta kundër oligarkisë nuk matet me konferencat e shtypit.

Matet me tavolinat ku vendos të mos ulesh.

Video

28 tonë domate dhe mijëra njerëz nga e gjithë bota! Rrugët e Buñol-it në Spanjë u kthyen në një lumë të kuq gjatë “La Tomatina”, festivalit të famshëm ku pjesëmarrësit zhvillojnë një betejë gjigante me domate. Festa që nisi nga një sherr spontan në vitin 1945 është sot një atraksion ndërkombëtar që sjell turistë nga e gjithë bota. Historia e plotë në linkun në koment⬇️

Një katastrofë e rëndë ka goditur Nepalin pranë kufirit me Tibetin, ku një masë e fuqishme uji, balte dhe shkëmbinjsh përfshiu disa zona. Autoritetet nepaleze njoftuan se deri mbrëmjen e së mërkurës janë gjetur trupat e 157 viktimave, ndërsa qindra persona të tjerë rezultojnë të zhdukur. Mes të zhdukurve raportohet se janë edhe qindra turistë, shumë prej tyre shtetas të huaj. Përmbytjet kanë shkatërruar shtëpi, automjete, rrugë, ura dhe infrastrukturë tjetër në zonat e prekura. Pamjet nga vendngjarja tregojnë fuqinë e rrjedhës, e cila ka marrë përpara gjithçka që ka gjetur në rrugën e saj. Të dhënat paraprake sugjerojnë se katastrofa mund të lidhet me shembjen e një mase akulli dhe shkëmbinjsh nga një akullnajë, ndërsa autoritetet po hetojnë shkakun e saktë.

Ergys Agasi del nga ambientet e Policisë, niset drejt Bllokut të Sigurisë.

Në kuadër të operacionit të koduar “The Wanted”, për ndalimin e Ergys Agasit, kontrollet janë shtrirë edhe në zonën e Liqenit të Thatë. Forca të policisë po kryejnë verifikime në terren, ndërsa aksioni vijon në disa pika. Policia pritet të dalë me detaje zyrtare për ecurinë e operacionit.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme