Qepët turshi, dikur të lidhura kryesisht me pub-et britanike, drekat tradicionale dhe bufetë e ftohta festive, po përjetojnë një rikthim të fortë në Britani, ndërsa oreksi për ushqime të fermentuara dhe shije të tharta po rritet ndjeshëm.
Sipas të dhënave të kompanisë Worldpanel by Numerator, rreth 8.5 milionë familje në Britani kanë blerë qepë turshi gjatë vitit të fundit. Vetëm në 12 javët deri në fillim të gushtit, vlera e shitjeve të qepëve turshi u rrit me 12% krahasuar me një vit më parë, ndërsa rritja e përgjithshme e ushqimeve në markete ishte 4%.
Rritja lidhet pjesërisht me çmimet më të larta, por jo vetëm. Të dhënat tregojnë se kërkesa është forcuar: rreth 300 mijë familje më shumë kanë blerë qepë turshi dhe janë regjistruar mbi 550 mijë blerje shtesë për këtë produkt.
Por ndryshimi më interesant është se turshitë nuk po shihen më thjesht si shoqëruese në pjatë. Ato po përdoren gjithnjë e më shumë si përbërës më vete, për t’i dhënë ushqimit aciditet, freski dhe kontrast. Edhe shefat e restoranteve me yje Michelin po i përfshijnë në receta moderne.
James Goodyear, shef kuzhine në restorantin Gordon Ramsay High, thotë se po ndodh një rikthim i madh i teknikave të turshive dhe konservimit. Sipas tij, shijet e konsumatorëve kanë ndryshuar dhe njerëzit kërkojnë gjithnjë e më shumë atë goditjen e thartë, krokante, që balancon ushqimet më të rënda. Ai e lidh këtë edhe me interesin për shëndetin e zorrëve, fermentimin natyral dhe qëndrueshmërinë në kuzhinë.
Të dhënat e Ocado tregojnë se kategoria e turshive, kastravecëve turshi dhe ullinjve është rritur me 30% krahasuar me një vit më parë, ndërsa produktet e freskëta turshi dhe të fermentuara janë rritur me 16%. Disa produkte kanë pasur rritje edhe më të fortë: lakra turshi organike me xhenxhefil dhe limon është rritur me 393%, kastravecët koktej Opies me 305%, panxhari i prerë Baxters me 246% dhe turshitë pikante Epicure me 242%.
Rritja e interesit nuk kufizohet më vetëm te qepët apo kastravecët klasikë. Produkte si kimchi, sauerkraut dhe kombinime të reja fermentimi po bëhen gjithnjë e më të pranishme në supermarkete. Sipas konsumatorëve, një pjesë e tërheqjes vjen nga ideja se “mund të bësh turshi pothuajse çdo gjë”.
Markat e reja po përpiqen ta largojnë këtë kategori nga imazhi i vjetër dhe tradicional. Pickle Project, një markë londineze që prodhon turshi në seri të vogla, përdor edhe teknologji me ultratinguj për të nxjerrë më shumë aromë nga barishtet dhe erëzat gjatë procesit të kriposjes. Ndërsa Goat Rodeo Goods raporton se gjatë vitit të fundit ka pasur rritje shitjesh me rreth 11 herë.
Sipas prodhuesve, turshitë po përfitojnë edhe nga ajo që quhet “efekti i buzëkuqit”: kur njerëzit kufizojnë shpenzimet e mëdha, por vazhdojnë të blejnë kënaqësi të vogla. Një kavanoz turshi apo një salcë e veçantë mund ta bëjë një sanduiç ose sallatë të zakonshme të duket më interesante, pa qenë një shpenzim i madh.
Mania ka shkuar aq larg sa në treg është shfaqur edhe uji i gazuar me shije turshie, i pari i këtij lloji në Britani. Brenda javës së parë në Planet Organic, pija Yew u bë pija freskuese më e shitur e dyqanit, duke kaluar edhe ujin e ambalazhuar.
Pra, turshitë në Britani nuk janë më thjesht kavanozi klasik që hapet në cep të tavolinës. Ato po kthehen në trend kulinar, në simbol të shijes së thartë, fermentimit natyral dhe luksit të vogël që i jep karakter ushqimit të përditshëm.






















