Gazment Bardhi riktheu sot në qendër të debatit politik termin “Aleanca e Valamarit”, duke e lidhur drejtpërdrejt me dosjen Balluku dhe me mungesën e një kërkese të re nga SPAK për heqjen e imunitetit të saj. Sipas Bardhit, pas sekuestrimit të dy vilave të dyshuara si pasuri të fshehura dhe shtimit të akuzave për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, SPAK nuk ka më arsye të qëndrojë në pritje, por duhet t’i drejtohet Kuvendit për autorizimin e arrestimit të ish-zëvendëskryeministres.
Por akuza e Bardhit shkon përtej procedurës ligjore. Kur ai flet për “Aleancën e Valamarit”, me gjasë nënkupton një takim të pretenduar mes drejtuesit të SPAK, Klodian Braho, dhe Ervin Demos në resortin Vala Mar në Gjirin e Lalëzit. Pikërisht këtë lidhje të dyshuar Bardhi e vendos në sfond të heshtjes së SPAK-ut për Ballukun, duke ngritur pyetjen nëse vonesa është thjesht procedurë hetimore apo shenjë e një marrëdhënieje të padukshme mes politikës dhe drejtësisë.
Nëse ky është vetëm një aludim politik, atëherë mbetet pjesë e arsenalit të zakonshëm të akuzave opozitare. Por nëse është e vërtetë, atëherë situata është shumë më e rëndë. Sepse nuk bëhet fjalë për një takim dosido, por për një kontakt të mundshëm mes kreut të institucionit që heton korrupsionin e lartë dhe një figure politike të Partisë Socialiste, tashmë të emëruar ministër i Brendshëm.
Historia bëhet edhe më e ndërlikuar kur në të hyn emri i Hysen Buzalit, deputetit socialist të Qarkut Berat. Buzali, një emër thuajse anonim për publikun e gjerë, mori 8,209 vota preferenciale në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025. Ky rezultat e vendosi ndër më të votuarit e qarkut, në një kohë kur drejtues politik i Partisë Socialiste në Berat ishte pikërisht Ervin Demo.
Buzali rezulton djalë tezeje i Klodian Brahos. Ky fakt, i vendosur pranë rezultatit të tij elektoral dhe rolit të Ervin Demos si drejtues politik në Berat, krijon një tjetër pikëpyetje: si arriti një kandidat me profil kaq të ulët publik të marrë mbi 8 mijë vota preferenciale? Ishte thjesht organizim lokal, votë personale dhe punë në terren, apo një mbështetje politike e strukturuar nën kujdesin e drejtuesit të qarkut?
Pas hyrjes në Kuvend, pavarësisht votave të larta, Buzali ka mbajtur një profil thuajse të heshtur. Nuk është shfaqur si zë politik i fortë, nuk ka prodhuar debat publik dhe nuk ka marrë peshën që zakonisht pritet nga një deputet me një rezultat të tillë personal.
Pra, në të njëjtin ekuacion kemi disa elementë që kërkojnë shpjegim: një takim të pretenduar Braho-Demo në Vala Mar; një deputet të panjohur publikisht, Hysen Buzali, që mori 8,209 vota nën drejtimin politik të Demos në Berat; lidhjen familjare të Buzalit me Klodian Brahon; dosjen Balluku, ku SPAK ka shtuar dyshimet për pasuri të fshehura; dhe emërimin e Demos në krye të Ministrisë së Brendshme.
A janë këto thjesht rastësi? A janë spekulime politike? Apo janë elementë të një marrëdhënieje më të thellë mes politikës dhe drejtësisë?
Këtu barra bie mbi Gazment Bardhin. Nëse ai ka prova për takimin në Vala Mar dhe për ndikimin politik që pretendon, i takon t’i bëjë publike dhe ta çojë akuzën deri në fund. Një akuzë e tillë nuk mund të mbetet në nivel batute, etikete apo insinuate. Sepse nëse është e pavërtetë, dëmton pa prova institucionin e drejtësisë. Por nëse është e vërtetë, atëherë kemi të bëjmë me një situatë të shëmtuar dhe të rëndë për organin e akuzës.
Në këtë rast, pyetja nuk është vetëm pse SPAK nuk ka kërkuar ende heqjen e imunitetit për Ballukun. Pyetja është më e madhe: a po vepron SPAK i lirë nga ndikimi politik, apo ka zona të padukshme marrëveshjesh ku politika dhe drejtësia takohen larg syve të publikut?
Dhe për këtë, Bardhi nuk mjafton të hedhë termin “Aleanca e Valamarit”. Duhet ta faktojë. Sepse nëse kjo aleancë ekziston, nuk është më çështje retorike opozitare. Është çështje besueshmërie e drejtësisë.






















