
Autoriteti Iranian i Ngushticës së Gjirit Persik ka publikuar këtë të hënë një listë të përditësuar me 77 anije, të cilat Teherani i akuzon për shkelje të protokolleve iraniane për kalimin nëpër Ngushticën e Hormuzit.
Sipas Autoritetit, anijet e përfshira në listë do t’u nënshtrohen kufizimeve gjatë kalimit, ndërsa ndaj tyre mund të ndërmerren masa të tjera, përfshirë gjoba, ndalimin apo sekuestrimin. Teherani paralajmëroi gjithashtu se në listë mund të përfshihen edhe anijet që bashkëpunojnë me mjetet lundruese të sanksionuara.
Lëvizja vjen në një periudhë tensionesh të shtuara përgjatë disa prej korridoreve më të rëndësishme detare për transportin e naftës. Sulmet e fundit pranë Ngushticës së Hormuzit dhe Bab el-Mandabit kanë shtuar shqetësimet për furnizimin global me energji, ndërsa perspektiva për një ulje të tensioneve në Lindjen e Mesme mbetet e zymtë.






















