Presidenti amerikan Donald Trump ka shkaktuar reagime të forta në Mbretërinë e Bashkuar pasi deklaroi gjatë vizitës së tij në Dublin se do të dëshironte të shihte një Irlandë të bashkuar, duke sugjeruar se ky zhvillim mund të ndodhë më shpejt nga sa pritet.
Gjatë një konference të përbashkët për media me kryeministrin irlandez, Micheal Martin, Trump tha se ribashkimi i Republikës së Irlandës me Irlandën e Veriut do të ishte një “gjë fantastike”. “Do të doja ta shihja të bashkuar. Mendoj se do të ishte një gjë e shkëlqyer. Gjithsesi do të ndodhë një ditë, kështu që mund të ndodhë edhe tani”, u shpreh presidenti amerikan.
Deklaratat e Trumpit kanë shkaktuar reagime të menjëhershme në politikën britanike. Ministri në hije për Punët e Jashtme, Tom Tugendhat, i cilësoi komentet si “të padobishme”, duke theksuar se qëndrimi tradicional i presidentëve amerikanë ka qenë respektimi i së drejtës së popullit të Irlandës së Veriut për të vendosur vetë për të ardhmen e tij kushtetuese.
Edhe deputeti i Reform UK, Robert Jenrick, e kundërshtoi hapur qëndrimin e presidentit amerikan, duke e cilësuar thirrjen për ribashkimin e Irlandës si “plotësisht të gabuar”. Jenrick theksoi se Trump nuk duhet të ndërhyjë në çështjet e politikës britanike dhe se e ardhmja kushtetuese e Irlandës së Veriut duhet të vendoset nga vetë banorët e saj.
Ndërkohë, edhe nga qeveria britanike është përsëritur se nuk ekzistojnë aktualisht kushtet për zhvillimin e një referendumi mbi statusin kushtetues të Irlandës së Veriut. Sipas Marrëveshjes së së Premtes së Mirë të vitit 1998, e ashtuquajtura “border poll” mund të thirret nëse ministri britanik për Irlandën e Veriut vlerëson se ekziston mundësia që shumica e votuesve të mbështesin bashkimin me Republikën e Irlandës.
Çështja mbetet një nga temat më të ndjeshme politike në ishullin irlandez. Marrëveshja e së Premtes së Mirë përcaktoi se statusi kushtetues i Irlandës së Veriut mund të ndryshojë vetëm nëpërmjet vullnetit demokratik të qytetarëve. Ndërsa nacionalistët irlandezë e kanë përshëndetur deklaratën e Trumpit, politikanët unionistë kanë këmbëngulur se vendimi i takon vetëm popullit të Irlandës së Veriut.






















