Autoritetet turke kanë ndërmarrë një operacion të gjerë kundër organizatave dhe aktivistëve LGBTQ+, me bastisje në disa qytete të vendit dhe dhjetëra persona të ndaluar. Operacionet, të zhvilluara në kuadër të fushatës së quajtur “Familja ime është e sigurt”, janë justifikuar nga autoritetet me luftën kundër aktiviteteve të paligjshme dhe mbrojtjen e familjes dhe fëmijëve.
Sipas autoriteteve turke, janë arrestuar 26 persona, ndërsa janë kryer kontrolle në zyrat e gjashtë organizatave LGBTQ+. Prokuroria e Stambollit bëri të ditur se operacionet u shtrinë në 12 provinca dhe se gjatë kontrolleve u sekuestruan drogë, pajisje elektronike, alkool i kontrabanduar dhe një armë zjarri.
Në një deklaratë më të gjerë, ministri turk i Drejtësisë, Akın Gurlek, tha se procedurat hetimore përfshijnë gjithsej 162 persona të dyshuar, nëntë organizata dhe 13 biznese në 15 provinca. Sipas tij, operacionet synojnë mbrojtjen e fëmijëve, familjes dhe rendit shoqëror, në përputhje me politikën qeveritare të shpallur si “Dekada e Familjes”.
Ndërkohë, organizata LGBTQ+ Kaos GL ka dhënë një tjetër bilanc, duke deklaruar se të paktën 50 aktivistë janë ndaluar, përfshirë më shumë se 10 persona të arrestuar gjatë kontrolleve në banesat e tyre. Organizata tha gjithashtu se zyrat e saj janë kontrolluar dhe se dhjetëra faqe interneti dhe llogari në rrjetet sociale të organizatave dhe aktivistëve LGBTQ+ janë bllokuar.
Në Stamboll, operacionet kanë përfshirë edhe kontrolle në bare dhe ambiente të frekuentuara nga komuniteti LGBTQ+, ndërsa autoritetet kanë goditur edhe një klub nate të konsideruar si hapësirë e sigurt për komunitetin.
Grupet e të drejtave të njeriut e kanë dënuar operacionin, duke e cilësuar atë si pjesë të një fushate më të gjerë presioni ndaj komunitetit LGBTQ+ dhe shoqërisë civile. Shoqata për të Drejtat e Njeriut në Turqi e ka akuzuar qeverinë se po përdor retorikën e “mbrojtjes së familjes” për të imponuar një model të vetëm shoqëror dhe për të goditur organizatat e pavarura.
Operacioni zhvillohet në një klimë të tensionuar për të drejtat LGBTQ+ në Turqi, ku autoritetet kanë ndaluar prej vitesh aktivitetet e Paradës së Krenarisë në Stamboll dhe kanë ndërmarrë masa të tjera kufizuese ndaj organizatave dhe aktivistëve të komunitetit.






















