
Nga Redi Shehu
Me akuzën e fundit të Bexhet Pacollit se shteti shqiptar kërkon t’ia marrë aeroportin e Vlorës për t’ia dhënë izraelitit Rony Yeffet, plotësohet tabloja e shëmtuar e dorëzimit të sektorëve strategjikë të vendit tonë një njeriu të lidhur me fije të dyshimta me lobe dhe shërbime inteligjente izraelite.
Yeffet, bazuar në përgjimet e publikuara, por edhe në dokumentet zyrtare, del personi kyç që kontrollon jo vetëm sektorin e mbrojtjes, armatimit, automjeteve ushtarake, kontrabandës së armëve dhe dronëve, por del që ka ndikim në prokurimet ushtarake, në IT dhe teknologji e data center përmes kompanisë “1820 Albania”, në karburante dhe hidrokarbure përmes kompanisë “1820 Black Oil”, në teknologjinë e sigurisë përmes kompanisë “R&I Trading” dhe “SMX”.
Sikur Rony Yeffet të ishte thjesht një biznesmen, çështja do të fokusohej thjesht në shqetësimin pse një biznesmen merr kaq shumë favore nga shteti ynë. Por kur mëson se babai i Yeffet, Isaac Yeffet, nuk na qenka thjesht një vreshtar siç na thuhet, por ish-drejtor i kompanisë së sigurisë ajrore globale izraelite “El Al”, ish-zëvendësdrejtor i operacioneve të sigurisë në Ministrinë e Jashtme të Izraelit dhe më herët ka shërbyer në Mossad, atëherë çështja ndërlikohet pak si shumë.
Kur mëson se vetë Rony ka shërbyer për 3 vjet në forcat famëkeqe të mbrojtjes izraelite, dhe për më tepër kur ka qenë personi që ka futur Elbit Systems izraelite në marrëdhënie me NATON dhe me Kayo-shqiptare, këtu historia bëhet shqetësuese.
Përse një person i lidhur ngushtë me struktura të mbrojtjes, sigurisë dhe inteligjencës izraelite ka kapur sektorët strategjikë shqiptarë? Përse qeveria shqiptare ndërton këtë marrëdhënie vasaliteti? Përse jo vetëm ekonomia, industria, turizmi, shëndetësia, transporti, hidrokarburet, por edhe kujtesa historike me muzetë pa kriter hebraike po merret peng?
Shqiptarët kur mandatojnë një kryeministër, ashtu si në çdo vend demokratik, e mandatojnë për të administruar asetet tona në funksion të mirëqenies publike, nuk e mandatojnë për të dorëzuar sovranitetin e vendit tek një vend tjetër. Është pikërisht këtu ku kryeministri dhe qeveria shqiptare e kanë humbur legjitimitetin e përfaqësimit.






















