Alket Rizai, një emër i shumëpërfolur në Greqi, u shpall zyrtarisht i arratisur. I arratisur disa herë nga burgjet greke, ai nuk u kthye në burgun e Domokos deri në orën 08:30 të mëngjesit, siç e kishte detyrim nga leja e fundit. Drejtori i burgut njoftoi menjëherë policinë.
Rizai ishte i përfshirë në një përplasje me armë jashtë një beach bar-i në Anavyssos (në rrugën Athinë–Sounio).
Sipas mediave greke dhe pamjeve të kamerave, ai ishte në shoqërinë e dy personave të tjerë.
Sipas policisë, konflikti nisi sepse ata vunë muzikë me zë të lartë në makinë, ndërsa pronari e kishte ulur muzikën sepse ishte vonë. Rizai dyshohet se nxori armë dhe qëlloi në ajër. Një afgan që punonte si sigurim i lokalit gjithashtu qëlloi drejt tij; plumbat bënë rikoshe dhe plagosën dy punonjës.
Të plagosurit janë një 20-vjeçar grek dhe një 41-vjeçar pakistanez.
Në vendngjarje u gjetën dy gëzhoja dhe njolla gjaku. Pronari 41-vjeçar i barit dhe gruaja e tij 39-vjeçare u arrestuan për dëshmi të rreme, strehim, pengim të drejtësisë.
Alket Rizai ishte me leje të rregullt nga burgu i Domokos (leja kishte filluar më 7 shtator). Që nga viti 2021 ka marrë 16 leje të tjera dhe është kthyer gjithmonë. Këtë herë nuk u kthye. Policia greke ka nisur operacion kërkimi në Attikë dhe Greqinë Qendrore.






















