Bota 14 September 2026, 17:18 Nga VNA

Zelensky sanksionon ish-zëdhënësen e tij, Mendel shpërthen: Ukraina s’ka nevojë për një tjetër diktaturë

Ndaje në Whatsapp

5136.jpg

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka vendosur sanksione ndaj ish-sekretares së tij për shtyp, Yuliia Mendel, e cila vitet e fundit është shndërruar në një nga kritiket e tij publike.

Sanksionet u vendosën me një dekret presidencial më 13 shtator dhe përfshijnë Mendel së bashku me nëntë persona të tjerë. Autoritetet ukrainase i akuzojnë personat e përfshirë në listë për përhapje të dezinformimit dhe propagandës ruse, si dhe për mbështetje të politikës agresive të Moskës ndaj Ukrainës.

Masat ndaj Mendel parashikohen të zgjasin 10 vjet dhe përfshijnë, ndër të tjera, ngrirjen e aseteve, kufizime në operacionet tregtare dhe lëvizjen e kapitalit. Për ish-zëdhënësen presidenciale është parashikuar gjithashtu kufizimi i aksesit nga territori ukrainas në llogaritë e saj në Facebook, Instagram dhe X.

Mendel reagoi ashpër ndaj vendimit, duke e cilësuar vendosjen e sanksioneve ndaj qytetarëve ukrainas si antikushtetuese. Ajo pretendoi gjithashtu se masat ndaj saj lidhen me qëndrimet kritike që ka mbajtur ndaj ish-shefit të saj.

“Kjo nuk e ndryshon qëndrimin tim dhe as atë të miliona ukrainasve. Për të mbijetuar, Ukraina ka nevojë për paqe, jo për një tjetër diktaturë, edhe nëse ajo është diktatura e Zelenskyt”, deklaroi Mendel.

Yuliia Mendel shërbeu si sekretare për shtyp e Zelenskyt nga viti 2019 deri në vitin 2021 dhe ishte zëdhënësja e parë e tij pas ardhjes në pushtet. Para se t’i bashkohej administratës presidenciale, ajo kishte punuar si gazetare dhe kishte bashkëpunuar edhe me media ndërkombëtare.

Marrëdhënia e saj me presidentin ukrainas ka ndryshuar ndjeshëm gjatë viteve të fundit. Në vitin 2022, Mendel publikoi librin “The Fight of Our Lives”, ku paraqiste në një dritë kryesisht pozitive Zelenskyn dhe periudhën e saj në administratën presidenciale. Por së fundmi ajo është kthyer në një kritike të fortë të tij, duke e akuzuar ndër të tjera për korrupsion dhe për interes në zgjatjen e luftës, pretendime që janë kundërshtuar nga Kievi.

Përplasja u bë veçanërisht e fortë në maj të këtij viti, kur Mendel dha një intervistë të gjatë për komentatorin amerikan Tucker Carlson. Gjatë intervistës ajo ngriti akuza të rënda ndaj Zelenskyt, përfshirë pretendime për pastrim parash dhe përdorim droge. Megjithatë, këto akuza nuk janë provuar në mënyrë të pavarur dhe Presidenca ukrainase i ka hedhur poshtë si të pabazuara.

Sa i përket pretendimit për përdorimin e drogës, Mendel pranoi gjatë intervistës se nuk e kishte parë personalisht Zelenskyn duke konsumuar drogë. AFP ka raportuar gjithashtu se pas intervistës qarkulluan në rrjetet sociale materiale të manipuluara që i paraqisnin deklaratat e saj në mënyrë më kategorike nga sa ishin shprehur realisht.

Vendimi ndaj Mendel është i pazakontë edhe për faktin se sanksionet po aplikohen ndaj një ish-zyrtareje të afërt të presidentit. Megjithatë, administrata Zelensky ka përdorur më parë masa të ngjashme ndaj figurave politike ukrainase. Në vitin 2025, sanksione u vendosën edhe ndaj ish-presidentit dhe liderit të opozitës Petro Poroshenko, me autoritetet që argumentuan se masat lidheshin me çështje të sigurisë kombëtare.

Video

SPAK zbarkon në qelinë e Ergys Agasit, gjenden pije alkoolike dhe pajisje wireless në paraburgimin e Bradasheshit.

A ka ndonjë mazhorancë në botë që me qëllim krijon boshllëqe ligjore për të linçuar sistemin e drejtësisë?

Shoqërohen 6 protestues pranë gjimnazit “Qemal Stafa” Sipas protestuesve, policia ka shoqëruar 6 persona, të cilët ishin mbledhur pranë gjimnazit “Qemal Stafa” dhe u bënin thirrje nxënësve të braktisnin mësimin dhe t’i bashkoheshin protestës. Sipas të njëjtit informacion, personat janë shoqëruar në Komisariatin nr. 3.

Regjisorja rome Alina Șerban mbërriti në Festivalin e Filmit të Venecias e shoqëruar nga muzika dhe vallet e komunitetit të saj, duke e kthyer paraqitjen në tapetin e kuq në një festë të identitetit dhe rrugëtimit personal. Filmi i saj i parë me metrazh të gjatë, “Eu contez” (“Unë kam rëndësi”), fitoi çmimin e publikut Armani Beauty në seksionin “Venice Spotlight”. Historia frymëzohet nga jeta e vetë regjisores: nga adoleshenca në sistemin e kujdesit social deri te pranimi në Akademinë Mbretërore të Artit Dramatik në Londër. Për realizimin e filmit, Șerban përfshiu të rinj që jetojnë ose kanë jetuar në shtëpi kujdesi, me të cilët ka punuar për dhjetë vjet. Ata i pati pranë edhe në prezantimin zyrtar të veprës në Venecia.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme