
Bashkia Lezhë, e drejtuar nga Pjerin Ndreu, ka shpallur fituese kompaninë “PE-VLA-KU” në tenderin për ndërtimin e Parkut “Nënë Tereza” dhe Pedonales “Faik Konica”, me një ofertë prej 97.8 milionë lekësh pa TVSH. Kompania e siguroi kontratën përmes një minikonkursi ku ishte e vetmja që paraqiti ofertë, ndonëse procedura fillestare kishte nisur me gjashtë operatorë ekonomikë.
Tenderi kishte një fond limit prej 109.4 milionë lekësh ose rreth 1.1 milionë euro, dhe objekti ishte i përcaktuar që në nisje, bashkë me preventivin, specifikimet teknike dhe afatin 12-mujor për realizimin e punimeve.

Por Bashkia zgjodhi që kontraktimin ta zhvillonte përmes një marrëveshjeje kuadër dhe më pas me rihapje të konkurrimit.
Në fazën e parë interes për kontratën shfaqën gjashtë operatorë. Pas shqyrtimit të dokumentacionit, katër prej tyre u skualifikuan dhe vetëm “PE-VLA-KU” dhe “RAFIN COMPANY” u shpallën operatorë të suksesshëm të marrëveshjes kuadër. Mes kompanive që mbetën jashtë kishte operatorë që kishin paraqitur oferta më të ulëta se “PE-VLA-KU”.


Ligji nuk e detyron autoritetin kontraktor të shpallë fitues automatikisht ofertën me çmimin më të ulët. Por kur oferta më ekonomike skualifikohet dhe procedura përfundon më pas me vetëm një konkurrent, arsyet e përjashtimit marrin një peshë tjetër dhe kërkojnë një vështrim më të kujdesshëm.
Pas përzgjedhjes së dy kompanive, Bashkia hapi minikonkursin, faza ku do të përcaktohej operatori që do të merrte përsipër realizimin e projektit. Por konkurrimi mes dy kompanive nuk ndodhi.
“RAFIN COMPANY” nuk paraqiti ofertë, duke lënë të vetme në garë “PE-VLA-KU”. Kjo e fundit ofroi 97.8 milionë lekë, e cila u shpall automatikisht dhe fituese.

Ky fakt ngre një tjetër pikëpyetje, përse për një investim të përcaktuar konkretisht u zgjodh mekanizmi i marrëveshjes kuadër dhe minikonkursit?
Parku dhe pedonalja kishin një vendndodhje të përcaktuar, fond limit, preventiv, specifikime teknike dhe afat realizimi. Pra, Bashkia e dinte se çfarë kërkonte të ndërtonte dhe sa kishte parashikuar të shpenzonte.
Marrëveshja kuadër është një instrument i parashikuar nga legjislacioni i prokurimit publik dhe përdorimi i saj nuk përbën vetvetiu problem. Megjithatë, në këtë rast mbetet për t’u sqaruar se cilat ishin rrethanat konkrete që e shtynë Bashkinë Lezhë të mos e përfundonte prokurimin me procedurën fillestare, por të krijonte fillimisht një marrëveshje me dy operatorë dhe të kalonte më pas në minikonkurs.
Pikëpyetja bëhet edhe më e fortë nga rezultati që prodhoi ky mekanizëm. Gara e nisur me gjashtë kompani përfundoi në fazën vendimtare pa konkurrencë.
Për këtë arsye, Bashkia e drejtuar nga Pjerin Ndreu duhet të bëjë transparente arsyet që çuan në këtë mënyrë prokurimi dhe mënyrën se si një garë e nisur me gjashtë kompani përfundoi me vetëm një ofertues për afro 100 milionë lekë para publike.






















