
Një efektiv policie është arrestuar në flagrancë në Durrës, ndërsa dy kolegë të tij po hetohen në gjendje të lirë, pas një operacioni të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore për korrupsion dhe shpërdorim detyre.
Operacioni u zhvillua këtë të martë, më 15 shtator, nga strukturat e AMP-së Durrës-Kavajë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme dhe nën drejtimin e Prokurorisë së Durrësit.
Në pranga përfundoi efektivi me iniciale S. M., i cili shërbente në Patrullën e Përgjithshme. Ai dyshohet në kuadër të hetimeve për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”.
Në të njëjtën çështje janë proceduar në gjendje të lirë edhe dy efektivë të Komisariatit të Policisë Durrës, të dyshuar për shpërdorim detyre.
Bëhet fjalë për S. H., me detyrë specialist për Rendin, dhe A. K., pjesë e Patrullës së Përgjithshme.
Pas përfundimit të veprimeve procedurale, materialet i janë referuar Prokurorisë për vijimin e hetimeve dhe përcaktimin e përgjegjësisë së secilit prej efektivëve të përfshirë.
Njoftimi:
Në datën 15.09.2026, në kuadër të procedimit penal nr. 100/2026, të regjistruar për veprat penale “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”, të hetuar me metoda speciale të hetimit nga Drejtoria Rajonale Durrës-Kavajë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), nën Drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, u finalizua një operacion, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë punonjësi i Policisë:
S. M., punonjës policie me detyrë Trupë Shërbimi Patrullë e Përgjithshme.
Gjithashtu, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, janë referuar në gjendje të lirë punonjësit e Policisë:
* S. H., me detyrë Specialist për Rendin në Komisariatin e Policisë Durrës;
* A. K., me detyrë Trupë Shërbimi Patrullë e Përgjithshme në Komisariatin e Policisë Durrës.
Në përfundim të veprimeve procedurale, materialet e përpiluara janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme sipas ligjit.






















