
Pezullohet nga detyra punonjësi i Forcës së Posaçme “Shqiponja” të Drejtorisë Vendore në Tiranë, i cili shfaqet në disa pamje duke goditur me grusht një protestues gjatë tubimit të sotëm në Rrugën e Durrësit.
Vendimi për pezullimin e inspektorit J. H. u mor nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skënder Hita, pas publikimit në rrjetet sociale të një videoje ku shfaqet punonjësi i Policisë duke kryer veprimin e rëndë.
Hita ka urdhëruar edhe nisjen e hetimit disiplinor ndaj punonjësit të Policisë, për përdorim të paligjshëm dhe të paarsyeshëm të forcës dhe për kryerjen e veprimeve që cenojnë rëndë figurën e punonjësit të Policisë.






















