
Gjykata e Lartë do të shqyrtojë të martën rekursin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kundër masës së arrestit me burg. Çështja do të shqyrtohet në dhomë këshillimi nga kolegji penal i përbërë nga Sandër Simoni, Genti Shala dhe Valbon Cekrezi.
Dosja u kthye nga Gjykata Kushtetuese, e cila i la detyrë Gjykatës së Lartë të arsyetojë se përse masa e arrestit me burg është e vetmja e përshtatshme për kryebashkiakun Veliaj. Vëmendja ditën e nesërme do të jetë nga Gjykata e Lartë, e cila do të vendosë për fatin e të zgjedhurit vendor, në kulmin e një situate të tensionuar politike dhe përplasjesh të forta të klaneve brenda PS-së, por edhe të qeverisë me gjyqësorin.
Veliaj po gjykohet në GJKKO për 13 akuza penale, si korrupsion, pastrim parash, fshehje pasurie e shpërdorim detyre. Ai mbahet në paraburgim që nga 10 shkurti 2025.






















