
Gjykata e Posaçme shpalli vendimin për shtatë të pandehur të dosjes “Revanshi”. Durim Bami, i konsideruar si i forti i Niklës, u dënua me 16 vite burgim për planet për të kryer vrasjen e ish-deputetit socialist Arben Ndoka, si dhe planin për të kryer vrasjen e Ervis Martinajt dhe Tori Xhekucës, si dhe një sërë veprash të tjera penale. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, ai do të vuajë 10 vite e tetë muaj burgim. Bami mbahet në një burg të sigurisë së lartë që pas ekstradimit nga Dubai, ndërsa ka qenë disa herë shënjestër e grupeve kriminale për t’u ekzekutuar. Jozi Kraja, i akuzuar për planin për të kryer vrasjen e Durim Bamit dhe vëllait të tij, Valter Bami, u dënua me 7 vite burgim. Edhe Kraja përfiton ulje të dënimit nga gjykimi i shkurtuar. Me të njëjtën masë u dënua edhe Aldo Avdyli, pjesë e grupit kriminal Avdylaj, që po ashtu dyshohet se po përgatiste kushtet për të vrarë Bamin dhe vëllain e tij.
Altin Morina u dënua me 10 vite burgim dhe, për gjykim të shkurtuar, i reduktohet në 6 vite e 8 muaj.
Ish-efektivi i RENEA-s akuzohet se ishte pjesë e një grupi kriminal që, bashkë me Durim Bamin, kultivonte kanabis në zonën e Krujës.
Të pandehurit:
Jozi Kraja - “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasve Durim dhe Valter Bami, kryer në bashkëpunim të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”; “Grup i strukturuar kriminal” - 7 vite burgim. Për shkak të gjykimit të shkurtuar, dënimi reduktohet në 4 vite e 8 muaj burgim.
Aldo Avdyli (alias Elidon Avdyli) - “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasve Durim e Valter Bami, kryer në bashkëpunim të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”; “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes – 7 vite burgim. Me gjykim të shkurtuar, 4 vite e tetë muaj burg.
Oltion Zefi - “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë të grupit të strukturuar kriminal; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”; “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e organizimit – 15 vite burgim, për shkak të gjykimit të shkurtuar, 10 vite burgim.
Edson Jozëik (alias Edson Pjetri, alias Edmir Pjetri), “Trafikimi i narkotikëve”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”; “Grup i strukturuar kriminal” - 12 vite burgim. Me gjykim të shkurtuar i reduktohet në 8 vite burgim.
Henerigert Mitri - “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”; “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes; “Shpërdorimi i detyrës” - 8 vite burgim. Me gjykim të shkurtuar, 5 vite e 4 muaj burgim.
Durim Bami, për kryerjen e veprës penale të “Sigurimit të kushteve dhe të mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Arben Ndoka, kryer në bashkëpunim të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasve Tori Xhekuca dhe Ervis Martinaj, kryer në bashkëpunim të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”; “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e krijimit, drejtimit apo organizimit; “Kultivim i bimëve narkotike”, e kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”; “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e krijimit, drejtimit apo organizimit – 16 vite burgim. Me gjykim të shkurtuar, 10 vite e tetë muaj burgim.
Altin Morina - “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”; “Grup i strukturuar kriminal”, në formën e pjesëmarrjes; “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, në formën e mbajtjes së armëve, në automjete, pa lejen e organeve kompetente shtetërore – 10 vite burgim. Me gjykim të shkurtuar, 6 vite e 8 muaj burgim.






















