Kardinali shqiptar Ernest Simoni ka kremtuar një meshë në gjuhën shqipe në Kishën Katolike të Shën Gjonit në Virxhinia, gjatë vizitës së tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ceremonia fetare u zhvillua në kuadër të 10-vjetorit të shenjtërimit të Nënë Terezës dhe 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së, duke bërë bashkë pjesëtarë të komunitetit shqiptar, besimtarë amerikanë dhe Motrat e Nënë Terezës.
Kardinali Simoni ndodhet në SHBA në kuadër të një vizite disaditore, gjatë së cilës ka zhvilluar takime me komunitetet shqiptare në disa shtete. Mesha në Virxhinia u organizua pas ftesës së ipeshkvit të Dioqezës së Arlingtonit, Michael Francis Burbidge.
Gjatë fjalës së tij para besimtarëve, kardinali 97-vjeçar u ndal te rëndësia e familjes, dashurisë dhe përgjegjësisë së bashkëshortëve ndaj njëri-tjetrit.
Ernest Simoni njihet si një prej figurave simbol të qëndresës së klerit katolik shqiptar gjatë diktaturës komuniste. Ai u arrestua dhe kaloi 18 vite në burg, prej të cilave 12 duke punuar në miniera. Edhe pas lirimit vijoi të përballej me persekutimin e regjimit, ndërsa aktivitetin fetar e ushtroi në fshehtësi.
Në vitin 2016, Papa Françesku e emëroi Ernest Simonin kardinal, pasi më herët e kishte cilësuar atë si një “martir të gjallë”.
Në meshën e zhvilluar në Virxhinia morën pjesë shqiptarë të besimit katolik, përfaqësues të besimeve të tjera, anëtarë të komunitetit vendas dhe amerikanë të lidhur me figurën dhe veprën e Nënë Terezës.
Gjatë qëndrimit në zonën e Uashingtonit, Kardinali Simoni ka kremtuar meshë edhe në një universitet katolik në Virxhinian Veriore dhe në Kapelën e Zojës së Shkodrës në Uashington. Ai zhvilloi gjithashtu një meshë në gjuhën italiane në famullinë e Rruzares së Shenjtë.






















