
Një dron ka hyrë në hapësirën ajrore të Lituanisë, përpara se të rrëzohej nga avionët luftarakë të NATO-s, njoftoi presidenti lituanez Gitanas Nauseda në orët e para të së martës.
Nauseda falënderoi Aleancën për “reagimin e shpejtë”, ndërsa e lidhi incidentin me situatën e tensionuar të sigurisë në rajon.
“Me intensifikimin e agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës, një gatishmëri e tillë është jetike për rajonin tonë. Së bashku me aleatët tanë të NATO-s, Lituania do të mbrojë hapësirën e saj ajrore”, shkroi presidenti në X.
Sipas radios kombëtare lituaneze LRT, e cila iu referua të dhënave paraprake të Qendrës Kombëtare për Menaxhimin e Krizave (NKVC), droni kishte hyrë në territorin lituanez nga Bjellorusia fqinje, një aleate e ngushtë e Rusisë.
Në momentin kur u rrëzua, droni po fluturonte në drejtim të perëndimit. Mjeti ajror ra në një zonë rurale pranë liqenit Kaunas, në pjesën qendrore të vendit.
Ministri i Jashtëm lituanez, Kestutis Budrys, deklaroi se ndërhyrja e avionëve të NATO-s dha “një mesazh të qartë se NATO qëndron vigjilente, e përkushtuar dhe e gatshme”.
Lituania, një vend anëtar i NATO-s, kufizohet si me Bjellorusinë, ashtu edhe me enklavën ruse të Kaliningradit në Detin Baltik.
Që prej nisjes së pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga Rusia në shkurt të vitit 2022, janë regjistruar disa incidente me dronë në hapësirën ajrore të Lituanisë. Raste të ngjashme janë raportuar edhe në vende të tjera të NATO-s në rajonin baltik, përfshirë Letoninë dhe Estoninë.






















