Bota 14 September 2026, 20:58 Nga VNA

Reperin Macklemore e largojnë nga turneu amerikan i Ed Sheeran pas thirrjeve “Free Palestine”

Ndaje në Whatsapp
Reperin Macklemore e largojnë nga turneu amerikan i Ed Sheeran pas

Reperi amerikan Macklemore nuk do të performojë më në datat e mbetura të turneut amerikan të Ed Sheeran, pas deklaratave të tij publike në mbështetje të palestinezëve në Gaza dhe Bregun Perëndimor.

Lajmi u konfirmua nga Messina Touring Group, promotori i pjesës amerikane të turneut “Loop” të Sheeran, në një deklaratë për Rolling Stone⁠. Sipas promotorit, disa prej stadiumeve ku janë planifikuar koncertet e radhës kanë njoftuar se nuk do të lejonin zhvillimin e shfaqjeve nëse Macklemore do të mbetej pjesë e programit.

“Jemi njoftuar nga vendet ku do të mbahen datat e ardhshme të turneut në SHBA se nuk do të lejojnë zhvillimin e koncertit me Macklemore në listë, çka do të sillte anulimin e turneut dhe do të prekte qindra mijëra fansa”, thuhet në deklaratën e Messina Touring Group.

Macklemore ishte parashikuar të hapte tetë nga dhjetë koncertet e mbetura të turneut amerikan të Ed Sheeran. Sipas raportimit, mes ambienteve që kanë kundërshtuar pjesëmarrjen e tij përmenden Lincoln Financial Field në Philadelphia, Gillette Stadium në Foxborough, Mercedes-Benz Stadium në Atlanta, Lucas Oil Stadium në Indianapolis, Bank of America Stadium në Charlotte, AT&T Stadium në Arlington dhe Raymond James Stadium në Tampa.

Vendimi vjen pas dy koncerteve të Macklemore në MetLife Stadium, në New Jersey, në fillim të shtatorit, ku ai bëri thirrje nga skena për “Free Palestine”, shfaqi pamje nga Gaza dhe interpretoi këngën protestë “Hind’s Hall”. Ai u tha të pranishmëve se një nga arsyet pse kishte pranuar të ishte pjesë e këtij turneu ishte pikërisht që të përdorte stadiumet e mëdha amerikane për të përcjellë mesazhin se njerëzit në Gaza dhe në Bregun Perëndimor “nuk janë harruar”.

Deklaratat e tij shkaktuan reagime të forta nga grupe pro-izraelite. Israeli American Council nisi një peticion ku kërkonte largimin e tij nga turneu, duke argumentuar se skena e një koncerti të Ed Sheeran nuk duhej përdorur për një agjendë politike të njëanshme. Edhe organizata StopAntisemitism e akuzoi reperin për propagandë anti-izraelite, ndërsa debati u përhap më tej pasi këngëtarja Pink shpërndau një postim kritik ndaj tij.

Macklemore ka qenë prej vitesh një nga zërat më të hapur të industrisë muzikore amerikane në mbështetje të palestinezëve. Në reagimet e tij publike ai ka këmbëngulur se kritika ndaj Izraelit nuk është kritikë ndaj hebrenjve dhe se mesazhi i tij është për paqe, dinjitet dhe trajtim të barabartë për të gjithë njerëzit.

Deri tani, Ed Sheeran nuk ka dhënë një reagim publik për vendimin. Turneu amerikan i tij do të vijojë me artistë të tjerë mbështetës, ndërsa Macklemore mbetet jashtë skenës ku synoi të thoshte dy fjalë që i kushtuan vendin në turne: “Free Palestine”.

Video

Një avion privat që transportonte këngëtarin brazilian Rey Vaqueiro dhe pjesëtarë të ekipit të tij doli nga pista dhe u përfshi nga flakët gjatë uljes në Parelhas, në shtetin Rio Grande do Norte të Brazilit. Në bordin e avionit ndodheshin tetë persona, gjashtë pasagjerë dhe dy anëtarë të ekuipazhit. Të gjithë arritën të largoheshin nga avioni pas aksidentit dhe u dërguan në spitalin e Parelhas për kontroll mjekësor. Autoritetet nuk raportuan të lënduar rëndë. Sipas zjarrfikësve, avioni doli përtej kufirit të pistës gjatë uljes dhe më pas u përfshi nga zjarri. Kur ekipet e emergjencës mbërritën në vendngjarje, dy turbinat ishin ende në flakë. Operacioni për shuarjen e plotë të zjarrit dhe ftohjen e turbinave zgjati rreth pesë orë.

Dy fëmijë janë filmuar duke luajtur volejboll në një fushë të improvizuar mes rrënojave në Gaza. Me shkolla, parqe dhe hapësira lojërash të dëmtuara ose të shkatërruara nga bombardimet izraelite, fëmijët po i kthejnë hapësirat mes rrënojave në vende ku mund të luajnë. Pamjet tregojnë kontrastin mes shkatërrimit të luftës dhe përpjekjes së fëmijëve për të gjetur momente normaliteti dhe gëzimi në një realitet të vështirë.

Pedonalja ku gara humbi rrugës/ Skualifikohen ofertat më të lira, tenderi 100 mln lekë i Bashkisë Lezhë përfundon me një ofertues

“Aleanca e Valamarit”: akuza që Bardhi duhet ta çojë deri në fund…ose të heshtë

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme