Bekim Sejdiu është tërhequr nga kandidatura për president të Republikës së Kosovës, pasi nuk ka siguruar mbështetjen e nevojshme parlamentare për t’u zgjedhur në këtë post.
Sejdiu ishte propozuar si kandidat për president në kuadër të marrëveshjes mes Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK). Në njoftimin për tërheqjen, ai deklaroi se vendimi erdhi pas zhvillimeve të fundit politike dhe pamundësisë për të siguruar votat e nevojshme në Kuvend.
“Në rrethanat e krijuara, të karakterizuara nga mungesa e mbështetjes së nevojshme parlamentare për zgjedhjen time si President dhe nga devijimi i tërë procesit në vorbullën e dinamikave dhe përplasjeve të brendshme politike, kam vendosur të tërhiqem nga kandidatura për President të Republikës së Kosovës”, deklaroi Sejdiu.
Ai bëri të ditur se për vendimin e tij ka njoftuar edhe dy subjektet politike që e kishin propozuar, LVV-në dhe LDK-në.
Kandidatura e Sejdiut nuk arriti të siguronte mbështetjen e gjashtë deputetëve të LDK-së. Si pasojë, nuk u arrit kuorumi prej 80 deputetësh i nevojshëm për zhvillimin e procesit të zgjedhjes së presidentit.
Pas njoftimit për tërheqjen e kandidaturës reagoi kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili shprehu keqardhje për zhvillimet dhe vlerësoi qëndrimin e Sejdiut gjatë procesit.
“Bekim Sejdiu tregoi dinjitet. Tërheqja e tij, përballë histerisë politike, dëshmon pikërisht pse një njeri me karakterin e tillë do të ishte zgjedhja e duhur për President”, deklaroi Abdixhiku.
Kreu i LDK-së e cilësoi situatën e krijuar si një tjetër moment bllokade politike, duke kritikuar përplasjet që, sipas tij, penguan arritjen e një zgjidhjeje për çështjen e presidentit.
“Keqardhje që sot nuk kemi President. Që në vend të një zgjidhjeje kemi kaosin politik, bllokadën si mjet dhe zgjedhjet e reja, edhe një herë, si qëllim”, u shpreh ai.
Abdixhiku gjithashtu dënoi kritikat dhe sulmet publike ndaj Sejdiut gjatë periudhës së kandidaturës, duke pretenduar se ai ishte bërë padrejtësisht objekt i një fushate përbaltëse.
Sipas tij, përplasjet dhe interesat politike po e bëjnë gjithnjë e më të vështirë arritjen e marrëveshjeve institucionale. Duke e përshkruar situatën si “PISA politike e Kosovës”, Abdixhiku paralajmëroi për vazhdimin e ciklit të bllokadave dhe zgjedhjeve të reja në mungesë të kompromisit mes forcave politike.
“Të faleminderit Bekim për gatishmërinë dhe dinjitetin e treguar në vazhdimësi. Në kohë të politikës së sotme, këto virtyte janë vlerë”, përfundoi Abdixhiku.
Tërheqja e Bekim Sejdiut e lë procesin për zgjedhjen e presidentit pa kandidaturën e dalë nga marrëveshja mes LVV-së dhe LDK-së, ndërsa mbetet për t’u parë nëse subjektet politike do të arrijnë një marrëveshje për një kandidat tjetër apo nëse ngërçi do ta çojë vendin drejt zhvillimeve të reja politike.






















