Partia Demokratike e Kosovës ka njoftuar se sot do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese, duke e çuar në këtë institucion kundërshtimin e saj si për konstituimin e Kuvendit, ashtu edhe për formimin e Qeverisë Kurti 4.
PDK-ja ka bërë të ditur se do të mbajë një konferencë për media para Gjykatës Kushtetuese, ku do të prezantojë edhe çështjen që do të dërgojë për shqyrtim.
Ky hap ishte paralajmëruar gjatë ditës së djeshme nga deputetë të PDK-së, të cilët e kanë kundërshtuar mënyrën se si u zhvilluan procedurat për konstituimin e Kuvendit dhe më pas për votimin e qeverisë së re.
Qeveria Kurti 4 u votua dje në një seancë të jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës. Në votim, tetë vota kundër erdhën nga deputetët e Listës Serbe, ndërsa deputetët e PDK-së, LDK-së dhe Aleancës nuk morën pjesë në seancë.
Votimit të qeverisë i parapriu vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit, e mbajtur në orët e paradites. Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e shpalli të konstituuar legjislaturën e 11-të, edhe pse nuk u zgjodh nënkryetari që i takon PDK-së.
Partia Demokratike e Kosovës e bojkotoi vazhdimin e seancës, duke argumentuar se gjatë procedurave ishin shkelur ligjet dhe Kushtetuta e Kosovës. Tashmë, PDK-ja pritet t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese të shqyrtojë ligjshmërinë dhe kushtetutshmërinë e këtyre veprimeve, përfshirë edhe formimin e Qeverisë Kurti 4.






















