
Shtetet e Bashkuara kanë konfirmuar për herë të parë se kanë vendosur një armë hapësinore në orbitën e Tokës, duke pranuar publikisht ekzistencën e një kapaciteti ofensiv amerikan në hapësirë, raporton BBC.
Sekretari amerikan i Forcave Ajrore, Troy Meink, deklaroi se vendosja e një arme “në orbitë” ishte e nevojshme për të mbrojtur forcat e SHBA-së nga veprimet armiqësore të kundërshtarëve.
Duke folur të hënën në Konferencën për Ajrin, Hapësirën dhe Kibernetikën, Meink theksoi se Shtetet e Bashkuara janë të përgatitura për t’iu përgjigjur “kërcënimeve në zhvillim”. Ai nuk dha megjithatë detaje mbi llojin e armës, kapacitetet e saj apo kohën kur ajo është vendosur në orbitë.
Zyrtarë të lartë ushtarakë amerikanë kanë deklaruar edhe më herët se Uashingtoni synon të forcojë ndjeshëm kapacitetet e tij ushtarake në hapësirë, ndërsa rivaliteti me fuqitë e tjera po zhvendoset gjithnjë e më shumë përtej atmosferës së Tokës.
Në qendër të shqetësimeve të SHBA-së janë veçanërisht programet hapësinore të Rusisë dhe Kinës. Uashingtoni vlerëson se të dyja vendet po zhvillojnë teknologji që, në rast të një konflikti të ardhshëm, mund të përdoren për të sulmuar, dëmtuar ose ndërprerë funksionimin e satelitëve amerikanë.






















