Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka drejtuar një kërkesë zyrtare Kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, për zhvillimin e një interpelance urgjente me Ministren e Arsimit, Mirela Kumbaro, lidhur me mospjesëmarrjen e plotë dhe administrimin e testimit PISA 2025.
Në dokumentin e dorëzuar, deputetët e opozitës theksojnë se vlerësimet ndërkombëtare kanë nxjerrë në pah probleme serioze me mbulimin e shkallës së përfaqësimit. Deputetët nënlidhjes se "OECD-ja, në shënimin për cilësinë e të dhënave të Shqipërisë, evidenton se shkollat me më pak se 21 nxënës të përshtatshëm për PISA nuk u kontaktuan për testim dhe nuk morën pjesë". Sipas tyre, ky veprim ka krijuar një hendek në të dhëna, pasi "mungesa e plotë e shkollave të vogla krijon një boshllëk strukturor në mbulim, i cili nuk korrigjohet plotësisht me rregullime statistikore".
Për opozitën, kjo situatë kërkon llogaridhënie të menjëhershme institucionale për të sqaruar se si është menaxhuar ky proces. Në kërkesë shkruhet se "urgjenca lidhet me fillimin e vitit shkollor dhe nevojën që ndërhyrjet pedagogjike, mbështetja për shkollat dhe vendimet buxhetore të mbështeten në një vlerësim të besueshëm". Deputetët shtohen se "nxënësit që mbeten jashtë matjes rrezikojnë të mbeten jashtë vëmendjes së politikave publike", duke kërkuar që "Kuvendi duhet të sqarojë shkaqet dhe përgjegjësitë pa vonesë".
Lidhur me procedurën e zhvillimit të kësaj seance, deputetët kërkojnë që debati të zhvillohet në nisje të punimeve parlamentare. Në dokument kërkohet "përfshirja e kësaj interpelance urgjente në seancën plenare të datës 17 Shtator 2026" dhe bëhet e ditur se "interpelanca do të zhvillohet nga deputeti Luciano Boçi".
Në mbyllje të kërkesës së tyre, anëtarët e opozitës nërmarrin një apel për transparencë, duke nëvizuar se "interesi publik kërkon të sqarohet jo vetëm çfarë rezultati është publikuar, por edhe cilët nxënës përfaqëson ai, cilët kanë mbetur jashtë dhe kush përgjigjet për këtë", pasi sipas tyre, "besueshmëria e arsimit publik kërkon transparencë të plotë dhe përgjegjësi institucionale".






















