
Arrestohet në Belgjikë Jasin Kala, alias Jasin Avdyli, i akuzuar si pjesë e klanit kriminal Avdyli, me bazë në Shijak. Ai është dënuar me 12 vite burgim për trafik droge në kuadër të dosjes “Volvo 4”, lidhur me laboratorin e përpunimit të heroinës në Brenogë, Has.
Grupi kriminal Avdyli është një nga grupet që vepron prej kohësh në Shijak dhe është përfshirë që nga shitblerja e votës deri te trafiku i drogës e planet për të kryer vrasje.
Kreu i grupit kriminal është Astrit Avdyli.
Njoftimi:
Policia e Shtetit/Si rezultat i bashkëpunimit me homologët në Belgjikë, finalizohet një tjetër fazë e operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”.
Kapet në Belgjikë dhe arrestohet me qëllim ekstradimin në Shqipëri 1 shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, i akuzuar nga GJKKO si pjesëtar i një grupi kriminal që ka trafikuar dhe shitur sasi të mëdha të lëndëve narkotike në disa shtete.
Në vijim të bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet specialistëve të Drejtorisë së Interpolit dhe homologëve në Belgjikë, gjatë kësaj faze të operacionit ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, në bazë të informacioneve të shkëmbyera në kuadër të një hetimi mbi trafikimin e lëndëve narkotike, është bërë i mundur lokalizimi dhe kapja në Belgjikë e shtetasit:
-J. K., alias J. A., 58 vjeç, banues në Shijak.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Tirana, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin e datës 04.04.2023, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në formën e bashkëpunimit të veçantë, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.
Nga hetimet e kryera nga SPAK, dyshohet se 58-vjeçari ka qenë pjesë e një grupi që ka organizuar trafikimin e sasive të mëdha të lëndëve narkotike dhe më pas shitjen e tyre në shtete të ndryshme.
Gjithashtu, nga hetimet dyshohet se të ardhurat e përfituara nga veprimtaria kriminale ky shtetas i ka investuar në 2 pasuri të paluajtshme (lokale), në Shijak.
Vijon bashkëpunimi ndërmjet Interpol Tiranës dhe homologëve në Belgjikë për finalizimin e procedurave për ekstradimin e shtetasit të arrestuar në Shqipëri.






















