Nëntë vende europiane, mes tyre Greqia, Italia, Franca dhe Gjermania, kanë kërkuar më shumë kohë për zbatimin e plotë të kontrolleve të reja biometrike në kufijtë e zonës Schengen, pasi sistemi ka shkaktuar probleme dhe radhë në disa aeroporte.
Bëhet fjalë për Entry/Exit System (EES), sistemin europian që regjistron në mënyrë elektronike hyrjet dhe daljet e udhëtarëve nga vendet jashtë BE-së që vizitojnë zonën Schengen për qëndrime të shkurtra.
Në vend të vulës tradicionale në pasaportë, sistemi regjistron të dhënat e dokumentit të udhëtimit, fotografinë e fytyrës dhe të dhënat biometrike, përfshirë gjurmët e gishtave.
EES nisi funksionimin në tetor të vitit 2025 dhe duhej të ishte zbatuar plotësisht në të gjitha pikat e jashtme kufitare të Schengenit deri në prill të këtij viti.
Por në praktikë, jo të gjitha vendet kanë arritur ta zbatojnë sistemin me të njëjtën shpejtësi.
Sipas The Guardian, nëntë shtete kanë kërkuar zgjatje të mëtejshme për disa pika kufitare, pasi infrastruktura nuk është ende e mjaftueshme për të përballuar kontrollet pa krijuar vonesa.
Probleme janë evidentuar në aeroporte të mëdha si Frankfurti dhe Schipholi, por edhe në aeroporte më të vogla dhe destinacione turistike, ku në periudha të caktuara mbërrijnë mijëra pasagjerë në një interval shumë të shkurtër.
Situata ka qenë veçanërisht problematike gjatë sezonit turistik. Industria e aviacionit ka raportuar më parë vonesa dhe humbje fluturimesh lidhëse në vende si Greqia, Italia, Spanja, Portugalia dhe Belgjika.
Megjithatë, Komisioni Europian nuk ka ndërmend të heqë dorë nga EES.
Nga rreth 1,500 pika kufitare, 1,488 janë tashmë funksionale. Sistemi ka regjistruar rreth 200 milionë udhëtarë dhe ka ndaluar hyrjen e rreth 70 mijë personave, për arsye që përfshijnë tejkalimin e periudhës së lejuar të qëndrimit dhe probleme me dokumentet.
Një nga objektivat kryesore të EES është pikërisht identifikimi automatik i personave që tejkalojnë kufirin prej 90 ditësh qëndrimi brenda një periudhe 180-ditore.
Për të reduktuar kohën e pritjes po zhvillohet edhe aplikacioni “Travel to Europe”, i cili u mundëson udhëtarëve të plotësojnë paraprakisht një pjesë të të dhënave përpara mbërritjes në kufi. Aktualisht aplikacioni funksionon në Suedi dhe Portugali.
Brukseli nuk pritet të penalizojë vendet që nuk kanë përfunduar ende zbatimin e plotë, por do të kërkojë që problemet teknike dhe infrastrukturore të zgjidhen.
Për udhëtarët, kjo do të thotë se kontrollet biometrike vazhdojnë të jenë në fuqi, por mënyra dhe shpejtësia e zbatimit mund të ndryshojnë nga një aeroport apo pikë kufitare në tjetrën.






















