
Shqipëria nuk do të organizojë finalen e Superkupës së Europës në vitin 2028. Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s, i mbledhur këtë të martë në Selanik, ka zgjedhur “Astana Arena” në Kazakistan si stadiumin ku do të zhvillohet ndeshja.
Federata Shqiptare e Futbollit kishte paraqitur kandidaturën e stadiumit “Air Albania” për të pritur finalen e vitit 2028. Aplikimi ishte bërë publik më herët edhe nga FSHF, por Tirana nuk arriti të siguronte të drejtën e organizimit.
UEFA vendosi gjithashtu që Superkupa e Europës e vitit 2027 të luhet në “Johan Cruyff ArenA” të Amsterdamit.
Në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv u përcaktuan edhe stadiumet pritëse të finaleve të kompeticioneve të tjera europiane. Finalja e Ligës së Kampioneve në vitin 2028 do të zhvillohet në “Allianz Arena” të Mynihut, ndërsa një vit më vonë trofeu më prestigjioz europian për klube do të diskutohet në “Camp Nou” të Barcelonës.
Bukureshti dhe Beogradi do të organizojnë respektivisht finalet e Ligës së Europës në vitet 2028 dhe 2029. Ndërkohë, finalet e Ligës së Konferencës për të njëjtat vite do të zhvillohen në stadiumin e Juventusit në Torino dhe në “Puskás Aréna” të Budapestit.






















