
Autoritetet belge kanë goditur një grup kriminal shqiptar të dyshuar për trafik ndërkombëtar të kokainës, duke arrestuar tetë persona. Pas daljes para gjykatës, katër prej tyre janë lënë në paraburgim.
Mes personave të arrestuar është edhe 52-vjeçari Gerd Gjinarari, i njohur me nofkën “Gjenerali”. Hetimi ndaj grupit kishte nisur rreth një vit më parë, pasi policia belge mori informacione se në një apartament në zonën Berchem të Antwerpit mbaheshin sasi të konsiderueshme kokaine.
Në qendër të hetimeve është vendosur një 48-vjeçar, i cili dyshohet se luante rolin e ndërmjetësit mes grupeve kriminale në Shqipëri dhe Amerikën Latine. Sipas autoriteteve, ai koordinonte hallka të ndryshme të trafikut, nga transporti i drogës deri te nxjerrja e ngarkesave nga porti i Antwerpit dhe shpërndarja e tyre.
Hetuesit dyshojnë se 48-vjeçari siguronte gjithashtu persona që ndihmonin aktivitetin kriminal, mes tyre edhe punonjës sigurie. Gjatë hetimeve janë sekuestruar më herët dy ngarkesa me kokainë, me peshë 46 dhe 53 kilogramë.
Operacioni u shtri në Antwerp, Berchem, Deurne, Kapellen dhe disa zona të Brukselit. Gjatë kontrolleve, policia sekuestroi armë, municione, jelekë antiplumb, pajisje për bllokimin e sinjalit, para cash, pasaporta dhe karta shtypi të falsifikuara. U gjetën gjithashtu pajisje që dyshohet se përdoreshin për përpunimin dhe paketimin e kokainës.
Në pranga përfundoi edhe Gerd Gjinarari, i cili ishte arrestuar nga autoritetet belge edhe në qershor të këtij viti. Në atë kohë, ai kërkohej ndërkombëtarisht nga Italia në lidhje me një vrasje të ndodhur në Milano në vitin 1997.
Sipas autoriteteve italiane, Gjinarari dyshohet se vrau një rival brenda një spitali në Milano, duke fshehur armën në një buqetë me lule. Pas arrestimit të tij të parë në Belgjikë kishte nisur procedura për ekstradimin drejt Italisë, ndërsa tashmë ai është arrestuar sërish në kuadër të hetimit për trafikun ndërkombëtar të kokainës.






















