Konferenca e Kryetarëve do të mblidhet ditën e nesërme në orën 09:00, në sallën “Gerti Bogdani” pranë Seancave Plenare, për të shqyrtuar kërkesën e opozitës për ngritjen e një Komisioni Hetimor Parlamentar ndaj shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a dhe akuzave të Arben Ahmetajt, i cili publikoi përgjimet e Ron Yeffet, ku flitet për tregti armësh dhe punë në emër të qeverisë Rama.
Kërkesa është paraqitur zyrtarisht nga 41 deputetë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dhe Grupit Parlamentar të Partisë së Lirisë.
Opozita kërkon hetimin dhe kontrollin e ligjshmërisë së të gjithë veprimtarisë së kësaj shoqërie shtetërore, me fokus të veçantë te marrëveshjet e bashkëpunimit me kompanitë apo agjentët e huaj, procedurat e prodhimit, importit dhe eksportit të armatimeve, si dhe tregtimin e armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake.
Fokusi i këtij hetimi lidhet me zbardhjen e procedurave dhe ndërveprimeve institucionale, teksa nesër pritet të vendoset nëse kjo kërkesë do të kalojë për votim në seancë plenare për miratimin e komisionit të ri hetimor.






















