
Rexhep Selimi, një prej ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, është shpallur fajtor nga trupi gjykues i Dhomave të Specializuara në Hagë dhe është dënuar me 13 vite burg.
Vendimi ndaj Selimit u shpall të mërkurën, më 16 shtator, pas një procesi gjyqësor që nisi në prill të vitit 2023. Ai ndodhet në paraburgim në Hagë që prej nëntorit të vitit 2020 dhe gjatë procesit ishte deklaruar i pafajshëm ndaj akuzave.
Aktakuza ndaj Selimit dhe tre ish-krerëve të tjerë të UÇK-së përfshinte akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, lidhur me ngjarjet e viteve 1998-1999.
Trupi gjykues konstatoi se nuk ishte provuar akuza për krime kundër njerëzimit, ndërsa Selimi u shpall penalisht përgjegjës për krime lufte. Vendimi i shpallur nga Dhomat e Specializuara është i shkallës së parë dhe mund të ankimohet.






















