
Trupi gjykues në Hagë ka konstatuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) nuk arriti të provonte ekzistencën e një sulmi të përhapur kundër popullatës civile, një nga elementet juridike të nevojshme për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Gjatë paraqitjes së konstatimeve në çështjen ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, deklaroi se provat e paraqitura nuk ishin të mjaftueshme për të vërtetuar se personat e shënjestruar përbënin një “popullatë civile”.
“Lidhur me ekzistencën e një sulmi të përhapur kundër popullatës civile si kusht për krime kundër njerëzimit, Trupi gjykues konstatoi se ZPS-ja nuk ka arritur të vërtetojë se ishte kryer ky sulm i përhapur gjerësisht kundër popullatës civile”, deklaroi kryetari i trupit gjykues.
Gjatë seancës, gjykatësi Smith paraqiti gjithashtu të kaluarën dhe funksionet e mbajtura nga Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi gjatë viteve 1998-1999.
Konstatimi për mungesën e provimit të një sulmi të përhapur ndaj popullatës civile lidhet drejtpërdrejt me pjesën e çështjes që ka të bëjë me akuzat për krime kundër njerëzimit.
Qytetarët e mbledhur në sheshin e Prishtinës kanë shpërthyer në festë pas zhvillimeve të fundit nga seanca gjyqësore ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.






















