
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë dhënë këtë të mërkurë verdiktin e shkallës së parë ndaj katër ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke i dënuar me burg për krime lufte, ndërsa nuk u provuan akuzat për krime kundër njerëzimit.
Dënimin më të rëndë e morën ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe Jakup Krasniqi, me nga 25 vite burg. Kadri Veseli u dënua me 18 vite, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vite burg.
Vendimi erdhi pas një procesi të gjatë gjyqësor, gjatë të cilit të katër ish-drejtuesit e UÇK-së i kishin mohuar akuzat. Gjykimi nisi në prill të vitit 2023 dhe u zhvillua përgjatë 234 ditëve seancash. Sipas të dhënave zyrtare të Dhomave të Specializuara, gjatë procesit dëshmuan 125 dëshmitarë të Prokurorisë, dy të Mbrojtësit të Viktimave dhe shtatë të mbrojtjes.
Një nga konstatimet kryesore të trupit gjykues lidhej me akuzat për krime kundër njerëzimit. Kryegjyqtari Charles Smith deklaroi se Zyra e Prokurorit të Specializuar nuk arriti të provonte përtej dyshimit të arsyeshëm ekzistencën e një sulmi të përhapur ndaj popullatës civile, një prej elementeve të nevojshme juridike për këto akuza.
Nga ana tjetër, gjykata arriti në përfundimin se ishin provuar krime lufte. Hashim Thaçi u shpall fajtor për katër akuza për krime lufte: vrasje, torturë, trajtim mizor dhe ndalim arbitrar.
Gjatë shpalljes së aktgjykimit, trupi gjykues konstatoi gjithashtu se ishin kryer ndalime të paligjshme, keqtrajtime dhe tortura ndaj personave të ndaluar gjatë konfliktit. Sipas konstatimeve të paraqitura në seancë, qindra persona ishin privuar në mënyrë të paligjshme nga liria, ndërsa një pjesë e tyre ishin keqtrajtuar dhe torturuar.
Vendimi i 16 shtatorit shënon përfundimin e gjykimit në shkallë të parë në një prej proceseve më të rëndësishme të zhvilluara nga Dhomat e Specializuara. Prokuroria kishte kërkuar dënime prej 45 vitesh burg për secilin prej katër të akuzuarve, ndërsa mbrojtja kishte kërkuar shpalljen e tyre të pafajshëm.
Shpallja e verdiktit u ndoq me interes të madh edhe në Kosovë. Në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, qytetarë të shumtë ndoqën drejtpërdrejt seancën nga Haga, ndërsa konstatimi se nuk ishte provuar sulmi i përhapur ndaj popullatës civile u prit me ovacione nga të pranishmit.
Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi ndodhen në paraburgim në Hagë që prej vitit 2020. Aktgjykimi i shpallur ndaj tyre është i shkallës së parë.






















