
Partia Demokratike ka përsëritur kërkesën që Kuvendi i Shqipërisë të miratojë një rezolutë për dënimin e asaj që demokratët e cilësojnë si gjenocid të kryer nga Serbia në Kosovë gjatë luftës. Kërkesa vjen në ditën e vendimit të Dhomave të Specializuara në Hagë ndaj katër ish-drejtuesve të UÇK-së.
Sipas PD-së, Kuvendi duhet të ndërmarrë një nismë të koordinuar me autoritetet e Kosovës, me synim ndërgjegjësimin e partnerëve ndërkombëtarë për krimet e kryera gjatë luftës. Draft-rezoluta është firmosur nga 30 deputetë demokratë dhe është depozituar zyrtarisht në Kuvend.
Çështja është ngritur edhe gjatë mbledhjes së Komisionit për Politikën e Jashtme, ku përfaqësuesit e opozitës kërkuan që në seancën plenare të 17 shtatorit Parlamenti shqiptar të mbajë një qëndrim zyrtar lidhur me vendimin e Hagës ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.
Demokratët kërkojnë që qëndrimi të mbështetet nga të gjitha grupet parlamentare, ndërsa palët politike janë angazhuar të vijojnë diskutimet për hartimin e një qëndrimi të unifikuar të Kuvendit.






















