Bota 16 September 2026, 18:32 Nga VNA

SHBA shtrëngon vizat për Afrikën e Jugut, Rubio: Përgjegjësit për politikat diskriminuese nuk kanë vend në SHBA

Ndaje në Whatsapp
SHBA shtrëngon vizat për Afrikën e Jugut, Rubio:

Administrata e Donald Trump ka ndërmarrë një tjetër masë ndaj Afrikës së Jugut, duke vendosur kufizime të reja për vizat ndaj shtetasve të huaj që Washingtoni i konsideron përgjegjës ose bashkëpunëtorë në politika që, sipas tij, nxisin diskriminim të bazuar në racë, dhunë ndaj pakicave ose shpronësim të tokës pa kompensim.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, e njoftoi politikën e re më 15 shtator, duke argumentuar se qeveria afrikano-jugore nuk ka adresuar shqetësimet e ngritura më herët nga Washingtoni. Sipas deklaratës së Departamentit amerikan të Shtetit, kufizimet do të zbatohen ndaj personave të përfshirë në hartimin ose zbatimin e ligjeve dhe politikave që, sipas SHBA-së, mundësojnë shpronësime pa kompensim, diskriminim racor apo nxitje të dhunës së afërt ndaj grupeve etnike ose racore pakicë.

Masat nuk përbëjnë një ndalim të përgjithshëm të vizave për qytetarët e Afrikës së Jugut. Washingtoni ende nuk ka bërë publike emrat e personave që do të preken dhe as numrin e tyre.

Rubio tha se politika e re mbështetet në nenin 212(a)(3)(C) të ligjit amerikan të emigracionit, i cili i jep sekretarit të Shtetit kompetencën për ta shpallur një shtetas të huaj të papranueshëm në SHBA kur hyrja e tij konsiderohet se mund të ketë pasoja serioze negative për politikën e jashtme amerikane.

Në qendër të përplasjes mes Washingtonit dhe Pretorias është reforma e tokës dhe politikat që synojnë adresimin e pabarazive të krijuara gjatë aparteidit. 

 

Një prej pikave kryesore të debatit është Ligji për Shpronësimin, i nënshkruar nga presidenti Cyril Ramaphosa në janar 2025. Ligji përcakton rregullat për shpronësimin e pronës në interes publik dhe parashikon se, në rrethana të caktuara, kompensimi mund të jetë zero. Autoritetet afrikano-jugore argumentojnë se kjo nuk nënkupton konfiskim automatik dhe se ligji duhet të zbatohet në përputhje me Kushtetutën.

Në gusht, Aleanca Demokratike, pjesë e koalicionit qeverisës, e çoi ligjin në gjykatë duke kundërshtuar kompetencat që ai i jep shtetit. Sipas Reuters, deri atëherë nuk ishte konfiskuar asnjë tokë në bazë të këtij ligji.

Qeveria e Ramaphosës e kundërshton përshkrimin amerikan të situatës dhe mohon se ekziston një fushatë sistematike përndjekjeje ndaj popullsisë së bardhë. Pretoria argumenton se reformat synojnë të korrigjojnë pabarazitë historike të krijuara gjatë aparteidit dhe ka kërkuar që SHBA-ja të respektojë të drejtën e Afrikës së Jugut për të hartuar politikat e saj të brendshme.

Çështja e tokës mbetet veçanërisht e ndjeshme në një vend ku pabarazitë e pronësisë vazhdojnë të jenë të mëdha. Të dhënat e auditimit të tokës të publikuara nga qeveria afrikano-jugore tregojnë se pronarët e bardhë zotëronin 72% të tokës bujqësore dhe fermave në pronësi individuale, sipas të dhënave të auditimit të vitit 2017.

Përplasja diplomatike është zgjeruar përtej reformës së tokës. Që nga rikthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë, SHBA-ja ka ndërmarrë disa masa ndaj Afrikës së Jugut, përfshirë shkurtimin e ndihmës amerikane dhe masa që kanë prekur përfaqësimin e vendit në takimet e G20. Trump ka mbështetur gjithashtu një program për pranimin në SHBA të afrikanwve si refugjatë, ndërsa ka pretenduar se të bardhët në Afrikën e Jugut përballen me përndjekje. Pretoria i ka kundërshtuar këto pretendime.

Edhe ambasada amerikane në Pretoria ka paralajmëruar se kufizimet e vizave mund të jenë vetëm fillimi i masave të tjera. Sipas saj, Washingtoni beson se dialogu me qeverinë afrikano-jugore ka arritur në një pikë kritike dhe se mund të ndërmerren hapa të mëtejshëm nëse shqetësimet amerikane nuk adresohen.

Kështu, përplasja mes Washingtonit dhe Pretorias po zhvillohet në disa fronte njëkohësisht, nga politikat racore dhe reforma e tokës te marrëdhëniet tregtare dhe qëndrimet e ndryshme në politikën e jashtme. Kufizimet e reja të vizave janë masa më e fundit në një seri përplasjesh që kanë tensionuar ndjeshëm marrëdhëniet mes dy vendeve.

Video

Solidaritet pas vendimit të Hagës, deputetët e PD i drejtohen seancës plenare me simbolin e UÇK-së në kraharor.

Me cigare në dorë/ Monika Kryemadhi bashkëbisedon me protestuesit para SPAK: Bashkohuni dhe organizohuni mes jush!

Protestuesit janë zhvendosur këtë të enjte edhe para ambienteve të Prokurorisë së Posaçme, ku kanë kërkuar lirimin e personave të arrestuar pak ditë më parë. “Lironi çunat”, kanë qenë thirrjet e përsëritura gjatë tubimit para SPAK. Sot shënohet dita e 110-të e protestës qytetare.

Një kalë që kishte mbetur i bllokuar në një pellg në Valencia të Spanjës u shpëtua përmes një operacioni me helikopter. Kali u nxor në mënyrë të sigurt nga uji dhe më pas iu dorëzua pronarit.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme