
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i është përgjigjur Dhomës së Avokatisë së Shqipërisë, pas kërkesës së kësaj të fundit për rishikimin e rregullit që ndalon mbajtjen e telefonave celularë në sallat e gjykimit.
Përmes një shkrese zyrtare, GJKKO sqaron se ndalimi i parashikuar në nenin 76 të Rregullores së Brendshme është vendosur për ruajtjen e rendit dhe sigurisë gjatë zhvillimit të proceseve gjyqësore dhe nuk është një masë e drejtuar posaçërisht ndaj avokatëve.
Sipas Gjykatës së Posaçme, rregulli zbatohet njësoj për të gjithë personat e pranishëm në proces, përfshirë gjyqtarët, prokurorët, avokatët, palët, përfaqësuesit e medias dhe publikun. GJKKO argumenton se masa nuk cenon ushtrimin e së drejtës së mbrojtjes, pasi avokatët mund të përdorin kompjuterë portativë në sallë për nevojat e procesit.
Lidhur me komunikimin e avokatëve me klientët që ndodhen në paraburgim, GJKKO thotë se ai garantohet në ambiente konfidenciale. Nëse gjatë seancës lind nevoja për një komunikim urgjent, avokati mund të autorizohet nga kryesuesi për të dalë nga salla.
Rregullorja e re ka hyrë në fuqi më 1 shtator 2026, ndërsa GJKKO mban qëndrimin se ndalimi i telefonave është një masë e përgjithshme sigurie dhe nuk kufizon të drejtat procedurale të avokatëve.
Nga ana tjetër, Dhoma e Avokatisë e ka kundërshtuar nenin 76, duke kërkuar rishikimin e tij dhe duke ngritur shqetësime për ndikimin që ndalimi i celularëve mund të ketë në ushtrimin e punës së avokatëve gjatë proceseve gjyqësore.






















