Kronika 15 September 2026, 20:59 Nga VNA

Gjykata Supreme Federale e Brazilit i hap rrugë ekstradimit të Ervin Matës drejt Shqipërisë; vendimi final mbetet në dorë të Presidentit brazilian

Ndaje në Whatsapp
Gjykata Supreme Federale e Brazilit i hap rrugë ekstradimit të Ervin

Gjykata Supreme Federale e Brazilit, e njohur zyrtarisht si Supremo Tribunal Federal, i ka dhënë dritë jeshile kërkesës së Shqipërisë për ekstradimin e Ervin Matës, shtetas shqiptar i kërkuar nga autoritetet shqiptare për akuza që lidhen me trafikun ndërkombëtar të narkotikëve dhe organizimin kriminal.

Sipas vendimit të Gjykatës Supreme Federale të Brazilit, në çështjen EXT 1925 / Distrito Federal, kërkesa e ekstradimit është paraqitur nga Qeveria e Republikës së Shqipërisë ndaj Ervin Matës, me qëllim që ai t’i nënshtrohet në Shqipëri procesit penal për dyshimet e ngritura ndaj tij.

Në ementën e vendimit, të publikuar në bazën juridike braziliane Jusbrasil, thuhet se kërkesa e Shqipërisë është shqyrtuar si “extradição instrutória”, pra ekstradim për qëllime hetimi dhe gjykimi penal. Gjykata konstaton se dokumentacioni i paraqitur nga pala shqiptare plotëson kërkesat e parashikuara nga ligji brazilian për migracionin dhe nga parimi i reciprocitetit për raste të ngjashme.

Sipas të njëjtit vendim, faktet që i atribuohen Ervin Matës nga autoritetet shqiptare korrespondojnë në të drejtën braziliane me veprat penale të trafikut ndërkombëtar të drogës dhe bashkimit për trafik droge. Pikërisht ky element, i njohur si parimi i “tipizimit të dyfishtë”, është një nga kushtet kryesore që duhet të plotësohet që Brazili të lejojë ekstradimin e një shtetasi të huaj.

Gjykata Supreme Federale e Brazilit thekson gjithashtu se në procedurat e ekstradimit nuk shqyrtohet në themel nëse personi është fajtor apo jo për akuzat që i ngrihen në vendin kërkues. Gjykata sqaron se Brazili ndjek sistemin e ashtuquajtur të “kontenciositetit të kufizuar”, që do të thotë se verifikon vetëm nëse kërkesa për ekstradim plotëson kushtet ligjore, pa hyrë në vlerësimin e provave mbi autorësinë e veprës penale.

Në përfundim, Dhoma e Parë e Gjykatës Supreme Federale të Brazilit vendosi unanimisht të pranojë kërkesën e ekstradimit të paraqitur nga Qeveria e Shqipërisë. Sipas vendimit, dorëzimi i Ervin Matës te autoritetet shqiptare mbetet i kushtëzuar nga dy elemente: vendimi diskrecional i Presidentit të Republikës së Brazilit dhe formalizimi nga shteti shqiptar i garancive të parashikuara nga neni 96 i ligjit brazilian për migracionin.

Çështja është shqyrtuar në seancë virtuale nga data 14 deri më 21 gusht 2026, ndërsa vendimi është publikuar më 4 shtator 2026, sipas të dhënave të publikuara në Jusbrasil nga sistemet e gjykatave braziliane.

Ervin Mata ishte arrestuar më herët në Brazil, në Ilhabela, në shtetin e São Paulos, pas një urdhri të lëshuar nga ministri i Gjykatës Supreme Federale të Brazilit, Alexandre de Moraes. Media braziliane Metrópoles raportoi se arrestimi u krye pas informacioneve të inteligjencës që tregonin se Mata ishte zhvendosur drejt qytetit bregdetar. Sipas Metrópoles, urdhri për arrestimin e tij ishte dhënë pasi Shqipëria kishte kërkuar ndalimin e shtetasit shqiptar për qëllime ekstradimi.

Edhe CNN Brasil ka raportuar më herët se Qeveria e Shqipërisë i kishte kërkuar drejtësisë braziliane ekstradimin e Ervin Matës, duke e akuzuar atë për trafik droge, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe bashkim kriminal. Sipas raportimit të CNN Brasil, çështja ishte regjistruar në Gjykatën Supreme Federale të Brazilit në kuadër të një kërkese ekstradimi të paraqitur nga autoritetet shqiptare.

Vendimi i fundit i Gjykatës Supreme Federale të Brazilit nuk do të thotë se ekstradimi është ekzekutuar menjëherë, por se pengesa gjyqësore kryesore është kaluar. Me fjalë të tjera, drejtësia braziliane ka pranuar se kërkesa e Shqipërisë është ligjërisht e vlefshme. Tashmë, topi kalon te autoritetet ekzekutive braziliane dhe te garancitë që duhet të formalizojë shteti shqiptar për trajtimin e Matës pas dorëzimit.

Video

Gafa jemi njerëz bëjmë

Edi Rama reagon pas vendimit për të lënë në qeli Erion Veliajn. Kryeministri ngre pikëpyetje për vijimin e paraburgimit dhe thotë se Tirana po mbetet pa drejtimin e kryetarit të zgjedhur. Sipas Ramës, kjo situatë po sjell një kosto të përditshme për kryeqytetin dhe qytetarët. Ai e cilëson atë një “eksperiment të paparë juridik, social dhe ekonomik”.

Edi Rama reagon pas vendimit për të lënë në qeli Erion Veliajn. Kryeministri ngre pikëpyetje për vijimin e paraburgimit dhe thotë se Tirana po mbetet pa drejtimin e kryetarit të zgjedhur. Sipas Ramës, kjo situatë po sjell një kosto të përditshme për kryeqytetin dhe qytetarët. Ai e cilëson atë një “eksperiment të paparë juridik, social dhe ekonomik”.

Tre automjete janë përfshirë në një aksident në superstradën Lezhë–Shkodër, pranë kryqëzimit të Gocajve. Si pasojë e përplasjes, dy drejtues mjetesh dhe një pasagjer kanë mbetur të plagosur dhe janë transportuar në Spitalin e Lezhës. Pas ndihmës mjekësore, raportohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Aksidenti shkaktoi vështirësi të përkohshme në qarkullim.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme