Të enjten, pagat e magjistratëve pritet të miratohen në Kuvend me formulën e propozuar nga Partia Socialiste, një formulë që parashikon një rritje minimale dhe që është kundërshtuar nga institucionet e drejtësisë dhe shoqatat e magjistratëve.
Kështu u vendos sot në Komisionin e Ligjeve, ku drafti kaloi me votat e mazhorancës, pavarësisht se në mbledhje u ftuan edhe përfaqësuesit e sistemit të drejtësisë. Formalisht, ata u dëgjuan. Politikisht, duket se vendimi ishte marrë më herët.
Kryetarët dhe përfaqësuesit e shoqatave të drejtësisë e kundërshtuan formulën, duke argumentuar se ajo nuk reflekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe nuk zgjidh realisht ngërçin e krijuar me pagat. Por kundërshtitë e tyre nuk ndryshuan asgjë në qëndrimin e mazhorancës.
Në fund, Komisioni i Ligjeve miratoi rrugën që çon projektligjin drejt seancës plenare të së enjtes. Sistemi i drejtësisë kërkoi zbatim të Kushtetutës; mazhoranca i ofroi një shtesë simbolike. Dhe, si shpesh në Shqipëri, debati për ligjin përfundoi me aritmetikën e votave.






















