Nga Desada Metaj
Erion Veliaj mbeti sot në burg, edhe pse javët e fundit Edi Rama kishte dhënë disa sinjale se qëndrimi ndaj tij ishte zbutur.
Sidomos pas lëvizjeve në Bashkinë e Tiranës, ku u shkarkua nënkryetarja e bashkisë dhe u rikthye Alban Dokushi, një prej njerëzve të besuar të Veliajt. Këto lëvizje u lexuan si një rikthim i kontrollit të Veliajt mbi disa pika kyçe të bashkisë, ose të paktën si një sinjal se raporti me Ramën nuk ishte më në pikën më të ftohtë.
Në këtë klimë u lexua edhe shfaqja e Sokol Sadushit pranë Edi Ramës pak javë më parë. Për shumëkënd, ajo pamje u interpretua si një lloj garancie politike për fatin gjyqësor të Veliajt, sidomos në një moment kur Gjykata e Lartë kishte marrë përsipër rishqyrtimin e masës së sigurisë pas vendimit të Kushtetueses.
Por as Dokushi, as lëvizjet në bashki, as shfaqja e Sadushit pranë Ramës nuk prodhuan rezultatin që mund të pritej. Veliaj mbeti në qeli.
Pavarësisht keqardhjes së shprehur publikisht, duket se Edi Rama ka marrë frymë thellë dhe me një shqetësim më pak. Sepse Veliaj nëpër këmbë do të ishte padyshim një telash më shumë për një kryeministër që është i rrethuar nga dosje të SPAK-ut për bashkëpunëtorët e tij më të afërt.
I rrethuar nga ish-miq me halle, dhe me ca halle të tjera shtesë për veten, Rama duket se e ka kuptuar se disa karta politike nuk janë më të dobishme. Veliaj është njëra prej tyre. Belinda Balluku, pavarësisht mbrojtjes publike që i është bërë deri tani, duket gjithashtu se po bëhet gjithnjë e më e bezdisshme nëpër këmbë.
Sepse Edi Rama, pavarësisht asaj që thuhet se i shet bashkëpunëtorët, në fakt nuk bën asgjë më shumë se ç’do të bënte çdo politikan me dy pare mend në vend të tij: përpiqet të shpëtojë veten dhe të negociojë pozicionin e vet.
Dhe për këtë, as Veliaj dhe as Balluku nuk duken më karta të dobishme. Përkundrazi, po bëhen karta të rënda, të konsumuara dhe problematike.
Edhe më të bezdisshme janë luftërat që ata kanë me njëri-tjetrin, të cilat me gjasë do të nxjerrin kokë në ditët dhe javët në vazhdim.
Në fund, vendimi i sotëm nuk është vetëm një zhvillim gjyqësor për Erion Veliajn. Është edhe një moment politik për Edi Ramën. Publikisht, mund të flitet për keqardhje, kosto për Tiranën dhe kryebashkiak të zgjedhur që mbahet në burg. Por politikisht, Veliaj në qeli është më i menaxhueshëm se Veliaj i lirë.






















