Nga Desada Metaj
Nëse do të kuptosh se sa keq është puna në qeveri, mos dëgjo opozitën. Lexo postimet e dy ditëve të fundit të ministrave të Edi Ramës.
Servilë deri në dhimbje ndaj shefit që i mblodhi dhe u lexoi një manual se si duhet të sillen me qytetarët, të frikësuar nga hetimet apo ndryshimet e paralajmëruara në qeveri, po të shfletosh mënyrën se si ministrat e Edi Ramës e kanë përcjellë mbledhjen e fundit, shtangesh keqas. Ca ministra gjoja teknikë, që jo vetëm nuk kanë kuptuar asgjë nga shpikjet e fundit të Edi Ramës: “BESA”, “Prania Besnike”, “PasqyrAlbania”, “Ora e Dëgjesës”, por nuk e kanë ende të qartë se janë ministra për të ndihmuar qytetarët. Dhe për këtë u është dashur, mesa duket, leksioni i Edi Ramës në vitin e 13-të të pushtetit.
Ministrat e Edi Ramës kanë zbuluar se qytetari ka halle. Kanë zbuluar se qytetari kërkon përgjigje. Kanë zbuluar se administrata duhet t’i kthejë përgjigje. Kanë zbuluar se ministrat duhet të jenë në terren. Kanë zbuluar se shteti nuk mund të funksionojë vetëm me video, batuta, regji dhe duartrokitje.
Pra, kanë zbuluar detyrën e vet.
Dhe, si çdo dështim në qeverisjen e Ramës, edhe ky nuk pranohet si dështim. Paketohen fjalë. Shpiken emra. Hapen mbledhje. Thirren ministra. Ulen deputetë. Mblidhen prefektë. Prodhohen statuse. Vendosen trëndafila. Shtohen flamuj. Dhe gjithçka shpallet si fillim i ri.
Në fakt, nuk është fillim i ri. Është aktakuza më e qartë që qeveria i ka bërë vetes.
Sepse kur thua “BESA”, do të thotë se fjala nuk besohet më. Kur thua “Prania Besnike”, do të thotë se mungesa ka qenë kronike. Kur thua “PasqyrAlbania”, do të thotë se realiteti nuk vjen më nga institucionet, por duhet parë në një pasqyrë partie. Dhe kur shpik edhe “Orën e Dëgjesës”, do të thotë se deri dje qytetari ka folur me murin, ka paguar rryshfetin dhe e ka humbur besimin te qeveria.
Dhe pikërisht këtë ministrat nuk e kuptojnë. Ose bëjnë sikur nuk e kuptojnë. Që është edhe më keq.
Sepse nëse Rama ua jep të shkruar dështimin dhe ata e postojnë si fitore, së paku duhet të jenë të kujdesshëm në atë që shkruajnë.
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, mblodhi prefektët dhe përcolli porositë e Ramës: çdo shqetësim i qytetarëve meriton vëmendje, institucionet duhet të japin përgjigje dhe të shkojnë deri te zgjidhja konkrete. E thënë kështu tingëllon bukur. Por në të vërtetë është dëshmi dëshpëruese. Sepse nëse ministri i Brendshëm duhet të mbledhë prefektët për t’u thënë se qytetarit i duhet kthyer përgjigje, atëherë nuk kemi qeveri që po reformohet. Kemi shtet që po pranon se nuk ka bërë as minimumin.
Dhe këtu fillon komedia e madhe socialiste.
Toni Gogu, me solemnitet administrativ, njofton se “Tirana do të ketë Orën e Dëgjesës”, a thua se kryeqytetit i mungonte vetëm një orar zyrtar për të kuptuar se dikush në pushtet duhet t’i hapë derën qytetarit.
Petrit Malaj e çon edhe më tej poezinë e zyrës: “Shërbimi më i mirë nis me dëgjimin, forcohet me praninë, korrektësinë dhe përgjegjësinë”, një fjali aq e përgjithshme sa mund të vendoset njësoj në hyrje të ministrisë, në sportelin e patentave ose në një broshurë për mirëmbajtjen e ashensorëve.
Ministrat dalin një nga një, me seriozitetin e njeriut që ka marrë tekstin në WhatsApp dhe e di se duhet ta postojë para darkës. Askush nuk thotë diçka të vetën. Askush nuk shpjegon çfarë nuk ka funksionuar. Askush nuk thotë pse u desh “Ora e Dëgjesës” tani. Askush nuk pyet pse pas kaq vitesh qeverisje duhet një metodologji speciale që shteti të bëjë atë që ka detyrim ligjor të bëjë çdo ditë.
Jo. Ata vetëm përsërisin.
Përsërisin aq shumë, sa edhe familjarët e tyre, po t’i lexojnë me qetësi, do kenë nevojë të ulin telefonin nga sikleti.
Sepse ka servilizëm që është politik. Ka servilizëm që është profesional. Dhe ka servilizëm që bëhet estetikisht i padurueshëm. Ky është rasti i tretë.
Në fund, kjo është pamja më e sinqertë e qeverisë teknike të Ramës: ministra që nuk dinë as të mbulojnë gafën e shefit, jo më të zgjidhin hallin e qytetarit. Rama ua dha dështimin të ambalazhuar si “BESË”, “Pasqyrë” dhe “Dëgjesë”; ata, me zellin e njeriut që nuk kupton as tekstin që po reciton, dolën dhe e postuan si sukses. Pas 13 vitesh, qeveria nuk ka shpikur mënyrën për të dëgjuar qytetarin. Thjesht na ka treguar sa paaftësi dhe servizilëm mund të mblidhet rreth një pushteti të dështuar.






















