“
Ministrat po lodhen të gjithë me radhë duke folur për “Orën e Dëgjesës”.
Ka prej tyre që shkojnë me shpresën se gjatë asaj ore do të jenë dëgjues. Kjo është pjesa më e lehtë, sepse këtë kanë kohë që e bëjnë. E bëjnë edhe me orë të tëra. Ndaj lajmi se tani do të ketë “Orë Dëgjese” i bën të shpresojnë se “orët” më në fund do të bëhen “ora”, pra vetëm një orë.
Ndryshon puna nëse do të jenë ata që duhet të flasin. Dhe duhet të flasin një orë. Nuk është pak.
Një pjesë e mirë e tyre nuk kanë aftësinë të flasin një orë rresht. Kush dreqin e shpiku këtë “Orë Dëgjese”?
Pastaj vjen problemi tjetër, edhe më i madh. Nëse ministrat duhet të flasin një orë, kush do të jenë ata që do t’i dëgjojnë? Dhe, mbi të gjitha, si do bëhet që të mos i zërë gjumi?
Do të duhet të flasin ngadalë, sepse nuk kanë shumë për të thënë. Por në çdo rast do të përsërisin fjalitë e Ramës, ndaj askush nuk pret që nga goja e tyre të dalin xhevahire.
Pra, të gjithë nëpër Tiranë me të njëjtat fjali, për një orë rresht.
Viktimat e sigurta në atë rast do të jenë anëtarët e PS-së, të detyruar të mblidhen për “Orën e Dëgjesës”.
Ndërkohë nuk dihet ende frekuenca e kësaj ore të bekuar. Dihet vetëm që dita ka 24 orë.
Pastaj do rrojmë e do shikojmë.
Dikur, çdo të hënë, orari i shkollës niste në orën 7 dhe jo në 8. Nga ora 7 deri në 8 ishte “ora e informacionit politik”. Edhe atëherë mësuesit nuk shpiknin fjali politike. Thjesht lexonin gazetën “Zëri i Popullit”.
Një orë rresht.






















