Editorial 31 July 2026, 18:48 Nga VNA

Çfarë fshihet pas bilancit të bujshëm të SPAK-ut?

Ndaje në Whatsapp

WhatsApp Image 2026-07-31 at 6.13.47 PM.jpeg

Nga Muriel

Drejtësia nuk matet me milionat që sekuestron. Matet me milionat që nuk kthehen më kurrë te korrupsioni. Ky është ndryshimi mes një drejtësie që prodhon statistika për raporte dhe një drejtësie që ndryshon një vend. Në thelb të çdo reforme të vërtetë qendron ajo maksimë e vjetër latine: “Fiat justitia, ruat caelum” – le të bëhet drejtësia, edhe sikur të bjerë qielli. Por që kjo thënie të mos mbetet thjesht një zbukurim retorik, ajo kërkon llogaridhënie të ftohtë dhe të vërtetë institucionale.

Kur u publikuan shifrat e gjashtëmujorit të parë të këtij viti, 2026, nën drejtimin e ri të SPAK-ut, përshtypja e parë ishte ajo e një makinerie që po punon me orë të plota. Rreth 440 milionë euro pasuri të sekuestruara e konfiskuara, 16 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë nën hetim, dhjetëra dosje të çuara në gjykatë.

Pak vite më parë, kjo do të dukej si skenar filmi. SPAK ka bërë diçka që dukej e pamundur për dekada: ka rrëzuar mitin e njeriut të paprekshëm. Sot, ministrat, deputetët apo kryebashkiakët e dinë se zyra e prokurorit nuk është më një zonë e ndaluar.

Ky është një ndryshim historik. E dimë të gjithë.

Por pikërisht sepse kjo provë e parë u kalua, sot pritshmëritë e njerëzve janë ndryshe. Pyetja nuk është më nëse SPAK guxon të hetojë. Pyetja është: A po ndryshon kjo mënyrën se si qeveriset Shqipëria?

Kjo është prova e dytë. Dhe është shumë më e vështirë.

Shifra prej 440 milionë eurosh tingëllon shkëlqyeshëm në një konferencë shtypi. Por ne, si qytetarë dhe gazetarë, duhet të shohim pas shifrave. Sa prej këtyre miliona eurove kanë kaluar vërtet në arkën e shtetit? Sa janë thjesht pasuri të bllokuara përkohësisht me vendim gjykate, të cilat mund të zhbëhen nesër në shkallët e larta të drejtësisë?

Nëse shikojmë raportin vjetor të vitit të kaluar, diferenca të vret syrin: nga dhjetëra miliona të raportuara si të bllokuara, vetëm një pjesë qesharake kishin përfunduar në konfiskim përfundimtar. Pjesa tjetër mbetet në një zonë gri, mes sekuestrove të letrës dhe betejave të pafundme gjyqësore.

Sekuestrimi është thjesht frenimi i dorës që vjedh. Konfiskimi është kthimi i parave atyre kujt u takojnë. Derisa të kemi ndarjen e qartë mes këtyre të dyjave, shifrat e mëdha rrezikojnë të jenë thjesht qetësues për opinionin publik.

E njëjta gjë vlen edhe për njerëzit. 16 zyrtarë të lartë nën hetim. Tingëllon shumë. Por sa prej tyre do të shkojnë vërtet në një dënim të formës së prerë, dhe sa do të mbeten “nën hetim” derisa historia të harrohet nga publiku? Në vitin e kaluar pamë dhjetëra zyrtarë nën hetim, por numri i atyre që morën dënim përfundimtar u tkurr ndjeshëm rrugës. Publikut i jepet gjithmonë nisja e filmit, por rrallë herë i tregohet fundi.

Po kështu, kur lexon tipin e dosjeve, të vjen një ndjesi lodhjeje. Tenderë të dyshimtë, abuzime në bashki, prokurime publike me të njëjtat skema, favore në këmbim të votës. Janë po ato histori, po ato fytyra, po ato mekanizma që përsëriten çdo vit.

Kjo do të thotë diçka e dhimbshme: SPAK po kap individët, por sistemi vazhdon të prodhojë të tjerë në vend të tyre. Prokuroria nuk mund të bëjë punën e parlamentit, të qeverisë apo të institucioneve të kontrollit.

Por SPAK mund të kërkojë diçka që sot mungon: transparencë totale.

Nuk duam thjesht të dëgjojmë sa miliona u bllokuan sot. Duam të dimë sa kohë zgjat një hetim që të mos vjetërsohet, sa çështje rrëzohen në Apel, dhe sa para mbërrijnë realisht në buxhetin e shtetit.

Një institucion që gëzon besimin e njerëzve nuk ka pse druhet nga këto pyetje. Përkundrazi, duhet t’i bëjë vetë.

Sepse beteja nuk fitohet vetëm duke mbushur sallat e gjyqeve me politikanë. Beteja fitohet atë ditë kur një zyrtar i rradhës mendon dy herë para se të vërë firmën te një abuzim, jo thjesht se ka frikë se mos shkon në burg, por sepse e di se pasuria e vjedhur do t’i merret deri në qindarkën e fundit.

Atë ditë, suksesin e SPAK-ut nuk do ta masim dot më me miliona të sekuestruara në letër. Do ta masim me faktin e thjeshtë se korrupsioni nuk ja vlen më.

Video

Përfundon protesta para Kryeministrisë, qytetarët nisin marshimin në rrugët kryesore të Tiranës.

Nis protesta e 61, qytetarët marshojnë drejtë Kryeministrisë.

Ish-zv.kryeministrja Belinda Balluku, e cila po hetohet për vepra të rënda penale paraqitet në SPAK. Prokurorët e kanë marrë të pandehur për lotet e Unazës së Madhe, pasi më herët e kishin marrë të pandehur për tenderin për tunelin e Llogarasë, ndërsa po vijon hetimi për korrupsion e pastrim parash. Këtë të premte Ballukut do t’i komunikohet edhe zgjatja e afatit të hetimit deri më datë 20 tetor. Më herët në SPAK mbërriti Ardian Kalia, avokati i ish-ministres së Infrastrukturës.

Policia e Tiranës ka shoqëruar disa persona që morën pjesë në protestën e improvizuar këtë të premte përpara ambienteve të SPAK-ut. Disa prej protestuesve janë shoqëruar në komisariat për verifikim.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme