Sot një nga anëtarët e trupit gjykues në Gjykatën e Lartë, Ilir Panda, ka dhënë dorëheqjen nga gjykimi i çështjes me kërkues Erion Veliaj, që lidhet me rekursin ndaj masës së sigurisë së caktuar nga SPAK për kryebashkiakun e Tiranës. Dorëheqja vjen në një proces që prej ditësh ka qenë në qendër të vëmendjes publike, për shkak të debatit mbi përbërjen e trupës gjykuese dhe pritshmërive të krijuara rreth fatit të Veliajt. Çështja u rikthye në Gjykatën e Lartë pasi Gjykata Kushtetuese, me një vendim të shumëpërfolur, në raport votash 5 me 3, vendosi të prishë vendimin e mëparshëm të Gjykatës së Lartë dhe ta detyrojë atë ta rishqyrtojë çështjen.
Dihen tashmë debatet e forta brenda Gjykatës Kushtetuese dhe pritshmëria e lartë e ngritur para asaj çështjeje, se Erion Veliaj do të dilte nga qelia. Nuk ndodhi ashtu. Por fakt mbetet se debatet brenda Gjykatës Kushtetuese kanë qenë të mprehta. Vetë vendimi i asaj gjykate, përveç raportit 5:3, përmbante edhe disa mendime paralele, ku spikaste ai i gjyqtares Sonila Bejtja, pjesë e shumicës prej pesë anëtarësh, me qëndrimin ekstrem se jo vetëm vendimi i Gjykatës së Lartë duhej prishur, por edhe vendimet e Apelit të GJKKO-së dhe të shkallës së parë të GJKKO-së, në mënyrë që Veliaj të kishte dalë jashtë burgut.
E gjithë kjo atmosferë debatesh dhe spinimesh mediatike i parapriu fazës së dërgimit të çështjes nga Gjykata Kushtetuese te Gjykata e Lartë.
Pas vendimit të shumëdiskutuar të Gjykatës së Lartë për unifikimin e parametrave të caktimit të masës së arrestit në burg; pas debatit të ashpër në Gjykatën Kushtetuese; pas shtyrjeve artificiale të seancave në GJKKO; pas kërkesës së çuditshme të Ajola Xoxës për pezullimin e gjykimit me motivin se ajo tashmë është nënë e një foshnjeje të porsalindur; dhe pas shumë piruetave të tjera procedurale, ambienti publik ishte mbarsur me bindjen se, tani që Gjykata Kushtetuese ia kaloi topin Gjykatës së Lartë, kjo e fundit shumë shpejt do ta nxirrte nga qelia Erion Veliajn.
Çështja u regjistrua në Gjykatën e Lartë më 8 korrik 2026 (pasi GJK ia përcolli). Në mënyrë të shpejtë u hodh shorti i çështjes dhe relator u caktua gjyqtari Sandër Simoni. Anëtarë të trupit gjykues janë Genti Shala (dikur anëtar i KQZ-së i caktuar nga spektri i majtë i politikës) dhe Ilir Panda (dikur ministër Drejtësie në kohën e qeverisjes së PS).
Spekullimet mund të jenë të shumta, por nuk duken pa bazë. Pikërisht sot u bë e ditur se Ilir Panda ka dhënë dorëheqjen nga çështja në fjalë. Ky i fundit kishte dhënë dorëheqje edhe në një çështje të ngjashme, kur kërkuese kishte qenë bashkëshortja e Erion Veliajt, Ajola Xoxa. Më shumë se një vit më parë, kur Ajola Xoxa ankohej në Gjykatën e Lartë për kontrollet e bëra në ambientet në përdorim të saj, Ilir Panda, atëherë pjesë e trupit gjykues, dha dorëheqjen. Një akt etik, duhet thënë. Por ama, i njëjti standard duhej ndjekur edhe në çështjet ku kërkues është Erion Veliaj: njohja apo marrëdhënia e miqësisë me bashkëshorten Xoxa prek edhe pozitën e bashkëshortit Veliaj dhe pengesa që Ilir Panda pati në rastin e Xoxës është identike me atë në rastin e Veliajt.
Edhe pse dorëheqja e sotme mbetet, në thelb, një akt etik i Ilir Pandës, një hije dyshimi vazhdon të mbetet. Çështja është depozituar në Gjykatën e Lartë më 8 korrik 2026, ndërkohë që z. Panda është njohur me çështjen dhe me emrin e kërkuesit të saj po atë ditë. Standardi etik e do që një gjyqtar të kërkojë dorëheqjen nga një çështje që në momentin kur vihet në dijeni për konfliktin e interesit që ka me palën kërkuese. Nga data 8 korrik kanë kaluar plot një javë, që më në fund z. Panda të konkludonte se, ashtu si në rastin e gruas, ku kishte një pengesë për ta gjykuar, edhe në rastin e burrit ekzistonte e njëjta pengesë.
Është pak e besueshme që një gjyqtari t’i duhen shtatë ditë për t’u menduar mbi një çështje kaq elementare. Ndaj mbetet të mendohet se ishte pikërisht bërja publike e këtij fakti, ekzistenca e pengesës për të qenë anëtar i trupit gjykues, nga media, ajo që ka detyruar z. Panda të mos vazhdonte një trajektore të rrezikshme për të, por edhe për besueshmërinë publike të Gjykatës së Lartë: pra, të vazhdonte të gjykonte çështjen e arrestit në burg të një miku të tij personal.
Dorëheqja e Ilir Pandës mund të ketë shmangur një konflikt interesi në këtë proces, por nuk i zbeh pikëpyetjet se përse ky standard etik nuk u zbatua që në momentin kur çështja iu caktua trupës gjykuese. Për një gjykatë të nivelit më të lartë, paanshmëria nuk duhet vetëm të ekzistojë, por edhe të duket. Pikërisht për këtë arsye, monitorimi publik dhe mediatik i kësaj çështjeje mbetet më i nevojshëm se kurrë.






















