Editorial 1 July 2026, 17:39 Nga VNA

Zbardhet vendimi i GJK për Veliajn. Sonila Bejtja kundër SPAK-ut: Gjyqtarja që sfidoi bazën e arrestit të Veliajt

Ndaje në Whatsapp
Zbardhet vendimi i GJK për Veliajn. Sonila Bejtja kundër SPAK-ut:

Arsyetimi i plotë i vendimit nr. 57/2026 të Gjykatës Kushtetuese, i publikuar këtë të martë, zbulon se pas vendimit për pranimin e pjesshëm të kërkesës së kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, fshihet një debat i fortë juridik mes vetë anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese. Dokumenti prej dhjetëra faqesh tregon se gjyqtarët nuk janë ndarë vetëm për mënyrën se si Gjykata e Lartë kishte arsyetuar vendimin e saj, por edhe për vetë standardin kushtetues të “dyshimit të arsyeshëm”, mbi të cilin është mbështetur masa e arrestit.

Me shumicë votash, Gjykata Kushtetuese vendosi të pranojë pjesërisht kërkesën e Veliajt, të shfuqizojë vetëm vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë dhe ta kthejë çështjen për rishqyrtim. Kushtetuesja nuk preku vendimet e GJKKO-së dhe të Apelit dhe as nuk rrëzoi masën e “arrestit në burg”. Sipas shumicës, Gjykata e Lartë nuk kishte dhënë një arsyetim të plotë mbi proporcionalitetin e masës së sigurisë dhe ndikimin e saj në ushtrimin e mandatit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Por pikërisht këtu mbaron dakordësia mes gjyqtarëve.

Në mendimin e saj pjesërisht kundër, Sonila Bejtja, anëtare e Gjykatës Kushtetuese me mandat të përfunduar, rezulton të jetë gjyqtarja që shkon më larg se çdo koleg i saj. Ndryshe nga shumica, ajo nuk ndalet vetëm te mangësitë e arsyetimit të Gjykatës së Lartë, por analizon në themel mënyrën se si gjykatat kanë vlerësuar bazën e dyshimit të arsyeshëm të paraqitur nga SPAK.

Sipas Bejtjes, vendimet nuk identifikojnë prova konkrete dhe të individualizuara që të lidhin drejtpërdrejt Erion Veliajn me secilën prej veprave penale për të cilat akuzohet. Në analizën e saj, ajo argumenton se gjykatat janë mbështetur në përshkrime të përgjithshme të marrëdhënieve mes personave, kompanive dhe organizatave jofitimprurëse, pa ndërtuar një lidhje të drejtpërdrejtë mes këtyre fakteve dhe përgjegjësisë penale të kryebashkiakut.

Në mendimin e saj, Bejtja analizon edhe episodet konkrete mbi të cilat është ndërtuar hetimi i SPAK, duke përfshirë vilën në Qerret, udhëtimin në Rotterdam, sponsorizimet përmes OJF-ve, faturimet e dyshuara si fiktive, blerjet e veprave të artit dhe marrëdhëniet me kompani që kanë përfituar kontrata apo leje ndërtimi nga Bashkia e Tiranës. Megjithatë, sipas saj, këto elemente nuk arrijnë standardin kushtetues të “dyshimit të arsyeshëm” që justifikon kufizimin e lirisë personale.

Bejtja kritikon gjithashtu mënyrën se si gjykatat kanë vlerësuar veprimet hetimore të SPAK, duke evidentuar pretendimet për kryerjen e disa veprimeve hetimore përpara regjistrimit formal të procedimit penal, mungesën e një analize konkrete mbi rrezikun e ndikimit te provat apo dëshmitarët, si edhe mungesën e argumenteve të individualizuara për rrezikun e arratisjes. Në përfundim, ajo arrin në konkluzionin se masa e “arrestit në burg” është joproporcionale, pasi ka prodhuar efektin e pamundësisë së ushtrimit të mandatit të kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Në fund të mendimit të saj, Bejtja deklaron se do të kishte votuar për prishjen e vendimeve për masën e sigurisë dhe kthimin e çështjes për rishqyrtim në Apelin e GJKKO-së.

Por ky nuk ishte i vetmi qëndrim brenda Gjykatës Kushtetuese.

Katër gjyqtarë – Fiona Papajorgji, Sandër Beci, Genti Ibrahimi dhe Sonila Bejtja – firmosën edhe një mendim paralel, ku argumentojnë se Gjykata Kushtetuese duhej të kishte analizuar më thellë proporcionalitetin e masës së arrestit dhe ndikimin që ajo kishte mbi të drejtën e Veliajt për të ushtruar mandatin e fituar me votë.

Në kahun e kundërt qëndrojnë gjyqtarët Asim Vokshi dhe Marsida Xhaferllari.

Në mendimin e tij të pakicës, Vokshi mbron në thelb të gjithë arsyetimin e gjykatave të posaçme dhe të Gjykatës së Lartë. Sipas tij, ekziston dyshim i arsyeshëm i bazuar në prova, rreziku procedural është individualizuar, janë analizuar edhe masat alternative të sigurimit dhe “arresti në burg” është proporcional me nevojat e hetimit. Për këtë arsye, ai vlerëson se Gjykata Kushtetuese nuk duhej të ndërhynte në vendimet e gjykatave të zakonshme.

Edhe Marsida Xhaferllari mban një qëndrim të ngjashëm. Ajo argumenton se gjykatat kanë arsyetuar në mënyrë të mjaftueshme ekzistencën e dyshimit të arsyeshëm, rrezikun e ndikimit mbi dëshmitarët dhe provat, si edhe nevojën për masën e “arrestit në burg”. Ndryshe nga Vokshi, ajo shpreh rezerva vetëm për mënyrën se si Veliaj është mbajtur gjatë seancave gjyqësore, duke vlerësuar se vendosja në kabinën e xhamit cenon dinjitetin e personit, por jo ligjshmërinë e masës së sigurisë.

Arsyetimi i plotë i vendimit tregon se përplasja brenda Gjykatës Kushtetuese nuk ishte thjesht mes shumicës dhe pakicës. Shumica u ndal te mungesa e arsyetimit të Gjykatës së Lartë, Sonila Bejtja sfidoi vetë bazën mbi të cilën gjykatat kishin vlerësuar dyshimin e arsyeshëm të paraqitur nga SPAK, ndërsa Asim Vokshi dhe Marsida Xhaferllari mbrojtën ligjshmërinë e plotë të vendimeve të gjykatave të posaçme dhe të masës së “arrestit në burg”.

Publikimi i këtij arsyetimi rikthen në qendër të debatit edhe Sonila Bejtjen, anëtaren e Gjykatës Kushtetuese me mandat të përfunduar. Për vite me radhë, Sali Berisha e ka cilësuar atë “heroinën e opozitës” në Gjykatën Kushtetuese. Megjithatë, nëse gjykimi bëhet mbi vendimet dhe jo mbi etiketat politike, tabloja rezulton shumë më komplekse. Zonja Bejtja meriton lavdet pa fund të Edi Ramës edhe pse në dy vendimet e fundit ka qenë “avokate” e dy ish bashkëpunëtorëve të tij të afërt. Çka të bën të besosh se nuk do jetë e largët dita kur Sonila Bejtja do të sistemohet në postin e radhës të përgatitur nga Rilindja. Pak a shumë si kolegia e saj Holta Zacaj që sot ngroh karrigen e zv kryetares së Bordit të Bankës së Shqipërisë. Dhe Edi Rama ka treguar se di ti sajdisë pa kursim ata ish anëtarë të vetingut apo ish gjyqtarë që i kanë shërbyer pa u kursyer.

Video

Pasi ia bënë makinën “lakror”, Peleshi nxori nga furra statusin me klishetë e zakonshme

Qytetarët vijojnë sot protestën e 33-të për dorëheqjen e Ramës, nis marshimi drejt kryeministrisë

Po zhvillohet protesta e 33-të qytetare, pas tubimit të mbajtur paradite para Kuvendit, i cili u shoqërua me tensione dhe përplasje me policinë. Aktivisti Arben Kola u bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e provokimeve dhe ta zhvillojnë protestën në mënyrë paqësore.

Një prift ortodoks grek është kthyer në një fenomen të papritur në botën e muzikës alternative, pasi albumi i tij “Paradise Metal” është vlerësuar si një nga publikimet më interesante të vitit. Atë Dionysios Tabakis, 53 vjeç, ndërthur në albumin e tij doom metal, këngë të Krishtlindjeve dhe elemente dubstep me tematikë fetare, duke tërhequr vëmendjen e kritikëve ndërkombëtarë. Albumi mori notën 7.6 nga revista prestigjioze muzikore Pitchfork, duke u renditur mbi disa albume ikonike të artistëve të njohur. Prifti, i cili shërben në Kishën Ortodokse Greke, thotë se kitara elektrike nuk është “e djallit”, por një instrument i krijuar nga Zoti dhe i keqkuptuar nga kisha. Megjithëse është bërë figurë kult në skenën muzikore, Tabakis ka refuzuar shumicën e ftesave mediatike, duke preferuar një jetë të tërhequr dhe të përkushtuar ndaj misionit të tij fetar. I martuar prej 32 vitesh dhe baba i tre fëmijëve, ai vazhdon të kombinojë besimin me pasionin për muzikën eksperimentale.

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme