Editorial 3 June 2026, 21:32 Nga VNA

Revolta e votuesve pa përfaqësim

Ndaje në Whatsapp
Revolta e votuesve pa përfaqësim

Nga Desada Metaj

 

Ajo që nisi si një protestë ambientaliste u kthye shpejt në një valë popullore kundër qeverisë së Edi Ramës. Shkëndijën e flakës së revoltës e ndezi akti arrogant i keqtrajtimit të një protestuesi. Një akt që, në fakt, simbolizon fytyrën e vërtetë të kësaj qeverie dhe të Edi Ramës. Arrogancën dhe banalitetin e një shteti që nuk di të sillet ndryshe veçse me forcën, qoftë ajo e policisë private apo e votave të manipuluara.

Sepse rendin dhe sigurinë e protestuesve e mbron Policia e Shtetit. Sikundër një projekt i madh si ai i paprezantuar për Zvërnecin dhe Nartën duhet të prezantohet dhe të mbrohet nga qeveria. Por, përkundrejt kësaj, Edi Rama zgjodhi rrugën që njeh më mirë: talljen, arrogancën dhe delirin e një kryeministri që, në vitin e trembëdhjetë të pushtetit, ende nuk e ka kuptuar se përballë tij opozitë nuk është më Sali Berisha. Përballë tij është një shumicë qytetarësh që, në fakt, i refuzojnë të dy.

Për ditë me radhë në shesh është derdhur një konglomerat njerëzish. Njerëz të ndryshëm nga ata që kemi parë zakonisht në protestat e viteve të fundit. Në shumicë të rinj. Dallohen qartë përpjekjet për protagonizëm të Lëvizjes Bashkë dhe Arlind Qorit. Në fakt, pothuajse të gjitha tezat dhe kërkesat e artikuluara deri tani kanë qenë majtiste dhe disa grupe nuk e fshehin as retorikën e tyre për “rrezikun anglo-amerikan” ndaj Shqipërisë.

Por protesta nuk është vetëm kjo.

Ka mes tyre qytetarë të lodhur nga arroganca dhe injoranca që reflekton politika shqiptare në tërësi. Ka artistë dhe blogerë që ndoshta nuk e kuptojnë plotësisht çfarë po ndodh, por e kanë kuptuar se kjo është një kauzë që të rrit ndjekësit në Instagram. Ka intelektualë, zëri i të cilëve nuk dëgjohet dhe karriera e tyre, pavarësisht aftësive, mbetet peng i një klase politike kryesisht injorante. Ka socialistë të zemëruar që kanë përfituar shumë pak nga trembëdhjetë vitet e pushtetit socialist.

Dhe ka demokratë.

Ata dallojnë nga të gjithë të tjerët kur u duhet të ulin kokën ndërsa turma thërret: “Rama në burg, Berisha në burg”. Sepse, në fakt, në këto trembëdhjetë vite ata kanë qenë më të vuajturit dhe më të lodhurit. Pa pushtet, pa punë dhe të telendisur nga një opozitë e pafundme, ata nuk kanë më as luksin e iluzioneve.

Zyrtarisht, Sali Berisha nuk është më në vendin e dytë të opozitës. Qytetarët në shesh janë opozita e dytë. Janë votat e munguara të një opozite që sot është damkosur nga shumëkush si bashkëpunëtore e Edi Ramës në zullumet e tij. Dhe kjo është një e vërtetë që dhemb, sidomos kur vjen jo nga kundërshtarët politikë, por nga një protestë genuine. Nga të rinj që kanë lindur kur Berisha ishte president dhe Rama ministër Kulture.

Edi Rama e ka humbur durimin. Bashkë me të, edhe sharmin e vjetër për të kthyer çdo krizë në spektakël. Me gjasë ai shpreson se përbërja e protestës, mungesa e një lidershipi të qartë dhe mungesa e eksperiencës politike do ta shpërbëjnë revoltën në pak ditë. Ndoshta shpreson që grupimet e majta, të cilat janë më aktivet në protestë, ta prishin këtë amalgamë me etjen e tyre për protagonizëm.

Mund të ndodhë.

Por, sido që të shkojë, një gjë është e dukshme. Edi Rama nuk e fsheh dot nervozizmin që për herë të parë në trembëdhjetë vjet, poshtë zyrës së tij po i kërkojnë dorëheqjen njerëz pa parti. Njerëz që dikur ishin monopoli i tij politik. Ndoshta e ndien veçanërisht keq sepse mes tyre ka socialistë të mërzitur, majtistë të thekur që pretendojnë se ai ua ka marrë partinë dhe qytetarë që dikur e admironin për artistin që ishte.

Kjo është pak, por është e sigurt.

Po aq e sigurt është se ai shesh sot nuk drejtohet nga partia më e madhe e opozitës. Dhe ky është një problem po aq i madh për opozitën sa është protesta për qeverinë. Këta njerëz të bukur PD-së i mungojnë prej shumë kohësh. Ndoshta që prej vitit 1992. Dhe sot ishte një nga ato momente kur ajo mund të rikthehej si feniksi i historive të veta.

Në vend të kësaj, vazhdon të tretet në hijen e rëndë të Sali Berishës.

Prandaj, në fund të ditës, njerëzit më të mërzitur nga ajo që po ndodh mund të jenë pikërisht Edi Rama dhe Sali Berisha. Dy njerëzit që kanë dominuar politikën shqiptare për tri dekada dhe që sot shohin se poshtë tyre po mblidhen qytetarë që nuk duan më t’u përkasin asnjërit.

Video

Refit Buzi shkoi në banesën e ish-të fejuarës, vrau ish-vjehrrin, plagosi rëndë ish-vjehrrën dhe mori peng 24-vjeçaren. Pas rreth 7 orësh negociata me forcat RENEA, ai liroi ish-partneren, por refuzoi të dorëzohej. 35-vjeçari i dha fund jetës duke qëlluar veten me armë gjahu, ndërsa ish-vjehrra ndërroi jetë më vonë në spital si pasojë e plagëve. Familjarët thonë se autori nuk pranonte ndarjen dhe e kishte kërcënuar vazhdimisht ish-partneren, ndërsa rrethanat e plota të tragjedisë po hetohen.

Erion Braçe sfidoi Edi Ramën në mbledhjen me dyer të mbyllura, duke kundërshtuar votimin e anëtarëve të KPP-së pa diskutim paraprak. Debati u përshkallëzua, ndërsa Rama humbi durimin dhe iu drejtua Braçes me fjalë të ashpra. Pas përplasjes, kryeministri paralajmëroi deputetët socialistë se do të marrë masa ndaj zërave kritikë. Heshtja e Elisa Spiropalit dhe debati Rama–Braçe nxorën në pah tensionet brenda Partisë Socialiste.

Pesë efektivë të Policisë Metropolitane u plagosën pasi një varkë e Njësisë Detare u përplas me Urën Westminster në Londër. Disa prej tyre ranë në ujë, por u shpëtuan menjëherë nga kolegët dhe ekipet e emergjencës.

Erion Braçe sfidoi Edi Ramën në mbledhjen me dyer të mbyllura, duke kundërshtuar votimin e anëtarëve të KPP-së pa diskutim paraprak. Debati u përshkallëzua, ndërsa Rama humbi durimin dhe iu drejtua Braçes me fjalë të ashpra. Pas përplasjes, kryeministri paralajmëroi deputetët socialistë se do të marrë masa ndaj zërave kritikë. Heshtja e Elisa Spiropalit dhe debati Rama–Braçe nxorën në pah tensionet brenda Partisë Socialiste.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme