Nga Desada Metaj
Vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese nuk e rrëzoi në themel masën e sigurisë ndaj Erion Veliaj. Përkundrazi, ai hodhi poshtë pjesën më të madhe të pretendimeve të tij dhe ia riktheu çështjen Gjykatës së Lartë vetëm për një pikë: proporcionalitetin e masës ndaj një personi të zgjedhur me votë. Thënë më thjesht, nëse Veliaj do të ishte një qytetar i thjeshtë, padia e tij me shumë gjasë do të ishte rrëzuar pa u rikthyer në Gjykatën e Lartë.
Dhe pikërisht këtu fillon dhe problemi i vërtetë.
Sepse topi tani është në fushën e Gjykatës së Lartë. Në thelb, vendimi i sotëm i Gjykatës Kushtetuese e vendos Sokol Sadushin përballë një zgjedhjeje: të arsyetojë qartë nëse standardi që shpalli pak javë më parë për “arrestin si masë të fundit” ishte një standard për qytetarët e thjeshtë apo një standard që iu qep si kostum për daljen nga qelia Erion Velisëe.
Kjo është prova reale e vendimit unifikues të Kolegjeve të Bashkuara. Sepse në teori, Gjykata e Lartë shpalli se masa “arrest në burg” duhet të jetë përjashtim, se prokuroria duhet të provojë pse masat më të buta nuk funksionojnë dhe se arsyetimi nuk mund të mbështetet te formulat standarde apo te pesha abstrakte e akuzës.
Por nga sot, praktikisht teoria do të ndeshet me pushtetin. Nëse Gjykata e Lartë do të vendosë që Erion Veliaj duhet të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim, ndoshta zoti Sadushi do të lehtësohet nga akuzat se e inicioi vendimin e Kolegjeve të Bashkuara për Veliajn.
Por nëse Gjykata e Lartë arrin në përfundimin se masa ndaj Veliajt nuk është proporcionale dhe ky i fundit del nga qelia, ky akt nuk do të kishte vetëm efekt juridik. Si rrjedhojë do të prodhoheshin menjëherë efekte të reja politike. Sepse Veliaj mund të rikthehet në detyrë.
Dhe aty ekuacioni komplikohet edhe më shumë.
Tashmë konflikti mes Ramës dhe Veliajt nuk duket më si thashethem korridori. Ai është bërë një tension i lexueshëm publikisht. Duke pasur në sfond edhe figurën e Belinda Ballukut, e perceptuar gjithnjë e më shumë si qendra e gravitetit të pushtetit brenda mazhorancës, gjithçka bëhet më e komplikuar. A do të mundet Edi Rama të menaxhojë jo vetëm problemet me drejtësinë të Ballukut dhe Veliajt, por edhe luftën tashmë jo më të heshtur që ata kanë me njëri-tjetrin?
Në të njëjtën kohë, qeveria shqiptare ndodhet në negociata delikate me Bashkimin Europian, nën presionin konstant për korrupsionin dhe me një kërkesë pothuaj absolute nga partnerët europianë: mosprekjen e reformës në drejtësi dhe mosndërhyrjen te SPAK.
Kjo e kthen çështjen Veliaj në diçka shumë më të madhe se fati personal i një kryebashkiaku.
Sepse tani çdo vendim i Gjykatës së Lartë do të lexohet politikisht: nëse masa mbetet, do të interpretohet si vazhdimësi e linjës së SPAK; nëse ndryshohet, do të lindë pyetja nëse standardi i ri i Gjykatës së Lartë ishte realisht universal apo thjesht u aktivizua kur në bankën e të hetuarit u ul një figurë e nivelit të lartë politik.
Dhe paradoksi më i madh është se, edhe pse ka shumë gjasa që Rama të mos e dojë Veliajn të rikthyer në këmbë politikisht, një vendim i Gjykatës së Lartë në favor të lirimit të tij mund të kthehet në një armë shumë më të madhe në duart e kryeministrit: një mënyrë për t’i thyer hundët SPAK-ut dhe për t’i kujtuar publikut se në Shqipëri pushteti real ende matet nga aftësia për të vendosur kufijtë e drejtësisë.
Në fund, prova nuk është më vetëm për Veliajn. Prova reale tashmë është për Sokol Sadushin. Sepse kryetari i Gjykatës së Lartë duket i vendosur përballë zgjedhjes më të vështirë të karrierës së tij: të qëndrojë në anën e logjikës së “drejtësisë së re”, të mishëruar te SPAK, apo të hyjë në historinë e tranzicionit shqiptar si njeriu që, në momentin vendimtar, zgjodhi ekuilibrin e pushtetit të Edi Ramës






















