
Nga Desada Metaj
Rregullorja e re e Kuvendit, e miratuar me votat e PS-së dhe PD-së, nuk është thjesht një ndryshim teknik për kohën e diskutimeve apo mënyrën e organizimit të seancave. Ajo forcoi ndjeshëm edhe të ashtuquajturin “superkomision” të Fatmir Xhafaj, një strukturë që po zgjerohet gradualisht si një oktapod institucional mbi reforma, institucione të pavarura dhe sidomos mbi drejtësinë.
Në fund të fundit, Shqipëria ka parë mjaftueshëm komisione parlamentare ku askush nuk kishte lidhje me atë që duhej të mbikëqyrte. Problemi është diku tjetër: tek ideja që politika, pasi humbi kontrollin direkt mbi drejtësinë, po përpiqet të rikthehet pranë saj përmes mekanizmave të rinj parlamentarë, më të sofistikuar, më elegantë dhe më të veshur me gjuhën e “standardeve europiane”.
Dhe në qendër të kësaj lëvizjeje qëndron sërish Xhafaj.
Një nga njerëzit që ka mbijetuar në çdo version të shtetit shqiptar, nga fundi i regjimit komunist deri tek reforma në drejtësi, duke ruajtur gjithmonë një marrëdhënie të veçantë me sistemin e prokurorisë dhe kontrollin institucional. Ironia është se eksperienca më solide juridike në këtë komision mbetet ajo e vetë Xhafajt si ish-prokuror i fundit të diktaturës, ndërkohë që komisioni po shitet si instrument modernizimi demokratik dhe mbikëqyrjeje europiane.
Dhe rreth tij, si në çdo strukturë shqiptare që pretendon të kontrollojë gjysmën e shtetit, është ngritur edhe skuadra parlamentare që teorikisht do të dëgjojë raportimet e institucioneve të drejtësisë.
Kështu, SPAK-u, institucioni që supozohej të ishte produkti më elitist i reformës në drejtësi, mund të përfundojë duke raportuar para një sociologu, një inxhinieri ndërtimi, një administratori lokal dhe një turisti politik të tranzicionit shqiptar.
Erjo Mile, sociolog dhe pedagog, ndoshta do të sjellë dimensionin social të korrupsionit. Ndoshta hetimet nuk do të maten më me prova, por me ndikimin emocional që dosja prodhon tek komuniteti akademik.
Onid Bejleri, inxhinier ndërtimi dhe ish-drejtues i ASHK-së, mund të ndihmojë në aspektin strukturor të reformës. Në fund të fundit, drejtësia shqiptare gjithmonë është trajtuar si një pallat që ka nevojë për shtesa, përforcime dhe ndonjë legalizim politik herë pas here.
Bledi Çomo vjen me profilin klasik të tranzicionit: pak biznes, pak drejtësi, pak pushtet vendor. Një CV që në Shqipëri të jep automatikisht të drejtën morale të flasësh për çdo gjë, nga kushtetuta deri tek kanalizimet.
Ndërsa Saimir Hasalla mbetet ndoshta metafora më e bukur e turizmit politik shqiptar: nga PDIU në PS me qetësinë e një njeriu që nuk ndryshon bindje, por vetëm destinacionin e pushtetit.
Dhe ndoshta këtu qëndron ironia më e madhe e gjithë këtij “superkomisioni”: politika shqiptare, pasi kaloi vite duke na shpjeguar se drejtësia duhet të shpëtojë nga ndikimi politik, po ndërton tani një strukturë ku institucionet e drejtësisë do të duhet të raportojnë periodikisht para njerëzve që, në shumicën e rasteve, nuk kanë asnjë eksperiencë reale në sistemin e drejtësisë.
Por për të mos u ndjerë të vetmuar në këtë eksperiencë surrealiste parlamentare, përfaqësuesit e institucioneve të drejtësisë do të kenë përballë edhe Elda Hoti nga PD, me një histori familjare që politika shqiptare është përpjekur prej kohësh ta trajtojë me atë heshtjen elegante që zakonisht rezervon për lidhjet shumë të afërta me trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.
Në fund, ndoshta ky është versioni më i sinqertë i reformës shqiptare në drejtësi: një sistem që premtoi çlirimin nga politika dhe përfundoi duke raportuar para saj.






















