Editorial 28 May 2026, 21:32 Nga VNA

Vendimi për Veliajn dhe lufta e heshtur brenda Gjykatës së Lartë

Ndaje në Whatsapp
Vendimi për Veliajn dhe lufta e heshtur brenda Gjykatës së

Nga Desada Metaj

Sot, Gjykata e Lartë dha vendim për njërën nga çështjet që Erion Veliaj kishte ngritur para saj: kërkesën për zëvendësimin e masës së sigurimit “arrest me burg”. Pritshmëria ishte ngritur në nivele të larta. Në Tiranë, pothuajse ishte krijuar bindja se Veliaj do të dilte nga burgu dhe se hapi i radhës do të ishte rikthimi në Bashki. Dy zhvillime të fundit në vetë Gjykatën e Lartë e kishin ushqyer këtë perceptim deri pranë sigurisë absolute.

I pari ishte vendimi unifikues i Gjykatës së Lartë mbi kriteret e caktimit dhe rishikimit të masës “arrest me burg” — një vendim i marrë nga e gjithë trupa gjyqësore, jo nga një kolegj i izoluar, pra një akt që pretendon të shprehë vetë filozofinë institucionale të gjykatës. I dyti ishte vendimi i disa ditëve më parë për Mirlinda Karçanajn, një tjetër e pandehur “VIP”, e cila kaloi nga “arresti në shtëpi” në “detyrim paraqitjeje”, pra në masën më të butë të mundshme. Bashkë, këto dy zhvillime krijuan bindjen — ose frikën, ose shpresën, sipas pozicionit ku qëndron secili — se Gjykata e Lartë po shndërrohej gradualisht në portën e shpëtimit për të arrestuarit e nivelit të lartë.

Nuk ndodhi.

Kolegji Penal prej tre anëtarësh nuk e zëvendësoi masën e sigurimit dhe Veliaj do të vazhdojë të qëndrojë në burg. Të paktën për momentin, perceptimi publik mbi atë që quhet “drejtësia e re” nuk mori një goditje fatale.

Por, përpara se vendimi i sotëm të festohet si triumf, duhet pranuar diçka thelbësore: dëmi, në një masë të konsiderueshme, është bërë tashmë.

Vendimi unifikues mbi kriteret e arrestit — ai që u paraqit publikisht sikur kishte lindur nga shqetësimi për rastin e një qytetari të zakonshëm nga Lezha — nuk kërkon shumë analizë për të kuptuar se cili ishte motivi real që e frymëzoi. Duhet një naivitet i jashtëzakonshëm, ose një keqbesim i qëllimshëm, për të besuar se shtysa e atij vendimi buronte nga ankthi institucional për kushtet e paraburgimit të një të pandehuri anonim. Motivi real ishte transparent dhe i lexueshëm: të arrestuarit VIP të Tiranës kishin nevojë për një instrument juridik dhe ai instrument u prodhua brenda vetë Gjykatës së Lartë.

Pikërisht për këtë arsye, fakti që ai vendim unifikues — me gjithë peshën institucionale që pretendon të mbartë — nuk gjeti zbatim sot në rastin Veliaj, është domethënës. Jo vetëm sepse masa nuk u ndryshua, por sepse dëshmon se brenda Gjykatës së Lartë vazhdon të ekzistojë ende një segment gjyqtarësh që nuk janë të gatshëm t’i nënshtrohen presionit politik dhe infiltrimit të tij në sistemin gjyqësor.

Gjyqtarë si Albana Boksi apo Sokol Binaj vijnë nga eksperienca e GJKKO-së. Ata e njohin nga afër çfarë do të thotë të gjykosh korrupsionin qeveritar dhe krimin e organizuar. E dinë koston personale dhe profesionale të pavarësisë. Dhe kjo mbetet një shenjë pozitive: dëshmi se ende ekzistojnë gjyqtarë që kanë respekt për veten, për institucionin dhe për vetë idenë e shtetit të së drejtës.

Vendimi i sotëm, për këtë arsye, nuk duhet lexuar si triumf i njëanshëm. Ai duhet lexuar si manifestim i një tensioni të thellë të brendshëm brenda Gjykatës së Lartë: dy rryma, dy vizione, dy koncepte të ndryshme mbi atë çfarë do të thotë “pavarësi gjyqësore” në Shqipërinë e sotme.

Njëra rrymë — siç u reflektua në vendimin unifikues — duket e depërtuar nga kalkulimi politik dhe e gatshme të veshë me gjuhë juridike atë që në thelb mbetet shërbim ndaj pushtetit. Tjetra — ajo që sot mbajti vijën e drejtësisë së re — e kupton pavarësinë jo si privilegj karriere, por si detyrim institucional.

Ekuilibri mes tyre është i brishtë. Dhe nuk ekziston asnjë garanci se do të mbetet i tillë.

Vendimi i sotëm nuk mund të kuptohet i shkëputur nga konteksti më i gjerë i presionit institucional mbi drejtësinë. Rasti Balluku — ku Parlamenti refuzoi autorizimin për hetim —, vendimet e fundit të Gjykatës Kushtetuese që, me pak sforco interpretative, mund të lexohen si sinjale favorizuese për Veliajn, sulmet sistematike ndaj SPAK dhe GJKKO-së, iniciativat legjislative të kryeministrit kundër strukturës së posaçme, koordinimi gjithnjë e më i dukshëm mes segmenteve qeveritare dhe atyre “opozitare” — si pakti “pro Xhafaj” i javës së kaluar — janë pjesë të të njëjtit proces politik, edhe nëse nuk ekziston një tryezë formale ku ai planifikohet.

Ky proces ka një emër: neutralizimi gradual i drejtësisë.

Dhe po avancon. Ngadalë. Por pa ndërprerje.

Një nga elementët më shqetësues të këtij momenti është dobësimi i zërit ndërkombëtar që historikisht ka shërbyer si kundërpeshë ndaj presionit politik mbi drejtësinë shqiptare. Ambasada amerikane vazhdon të mbetet pa ambasador dhe kjo mungesë është ndjerë qartë në klimën politike dhe institucionale të muajve të fundit. Deklaratat e të nominuarit për ambasador përpara Komisionit të Jashtëm të Senatit amerikan — ku ai shprehu mbështetje të fortë për SPAK dhe luftën kundër korrupsionit — janë inkurajuese, por mbeten ende deklarata në distancë, pa peshën konkrete të pranisë diplomatike në terren.

Në këtë sfond, qëndrimet e Gjermanisë dhe Holandës gjatë diskutimeve të fundit për integrimin europian ishin sinjale të rëndësishme dhe të nevojshme. Por ato nuk mjaftojnë.

Sistemi i drejtësisë shqiptare ndodhet ndoshta në fazën më delikate të ekzistencës së vet që prej krijimit të arkitekturës së re kushtetuese. Dhe në një moment të tillë, ai ka nevojë për mbështetje reale, të strukturuar dhe të vazhdueshme — jo vetëm për deklarata protokollare.

Vendimi i sotëm dëshmon se rezistenca ende ekziston.

Por rezistenca e izoluar nuk mjafton për të ndërtuar sistem. Ajo ka nevojë për mbështetje politike, institucionale dhe ndërkombëtare nga ata që e kuptojnë se mbrojtja e SPAK dhe GJKKO-së nuk është thjesht çështje procedurash penale, por çështje e vetë orientimit strategjik të Shqipërisë.

Ka ardhur momenti — tashmë i domosdoshëm — që zëri në mbështetje të drejtësisë të ngrihet më fort. Nga shoqëria civile. Nga partnerët ndërkombëtarë. Dhe sidomos nga ai zë amerikan që u dëgjua në Senat, por që duhet të materializohet sa më shpejt në praninë e plotë diplomatike në Tiranë.

Sepse SPAK dhe GJKKO nuk po mbrojnë vetëm dosjet e tyre.

Ato po mbrojnë mundësinë që Shqipëria të ketë, më në fund, një shtet ku pushteti nuk është mbi ligjin.

Video

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një personi është regjistruar sot në Kaninë , ku janë përfshirë tre automjete. Si pasojë e përplasjes, automjetet janë përfshirë nga flakët. Nga aksidenti ka humbur jetën shtetasi Flamur Kabello, i cili udhëtonte me automjetin tip BMW. Ndërkohë, në spital janë transportuar drejtuesi i mjetit tip Benz dhe katër shtetas egjiptianë që udhëtonin me të, të cilët po marrin ndihmën mjekësore. Sipas dyshimeve paraprake, aksidenti mund të jetë shkaktuar nga një manovër e gabuar dhe shpejtësia e lartë e njërit prej mjeteve të përfshira, ku dyshohet se bëhet fjalë për automjetin tip Benz. Hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.

Blogerja e njohur Dea Mishel, ish banore e Big Brother i përgjigjet Edi Ramës …

Protestuesit vijojnë rrugëtimin nëpër Tiranë teksa pritet të rimblidhen para Kryeministrisë

Qytetarët kanë nisur marshimin në rrugët e Tiranës

Doni të informoheni të parët për lajme ekskluzive?

Bashkohuni me grupin tonë privat.

opinion

Opinionet e shprehura i përkasin autorëve dhe nuk përfaqësojnë qendrimin e redaksisë.

Histori të harruara

Më shumë lajme