Bashkimi Evropian ka mirëpritur vendimin e presidentes së re të Kosovës, Justina Shiroka Pula, për kthimin në Kuvend për rishqyrtim të ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në një deklaratë zyrtare, BE-ja rikujtoi se ka shprehur vazhdimisht shqetësim të thellë për nismën e ndryshimit të këtij ligji, si para ashtu edhe pas miratimit të tij nga Kuvendi i Kosovës më 6 tetor. Brukseli theksoi se pret të konsultohet në rast se diskutimet për këtë çështje rifillojnë në Kuvend, në përputhje me shkëmbimin e letrave të vitit 2014 ndërmjet Përfaqësueses së Lartë të BE-së dhe Presidentit të Kosovës, ku përcaktohen modalitetet e konsultimit me Bashkimin Evropian përpara ndryshimeve ligjore.
“Sundimi i ligjit dhe mbrojtja e të drejtave themelore, përfshirë ato të viktimave dhe dëshmitarëve, mbeten me rëndësi parësore”, thuhet në deklaratën e Bashkimit Evropian.
BE-ja rikujtoi gjithashtu se Dhomat e Specializuara të Kosovës janë një institucion i pavarur gjyqësor, i themeluar përmes vendimeve të Kuvendit të Kosovës në vitet 2014-2015, në bazë të një marrëveshjeje të veçantë me Bashkimin Evropian. Institucioni funksionon brenda sistemit juridik të Kosovës dhe është i përfshirë në Kushtetutën e vendit.
“Mandati aktual dhe pavarësia e tyre duhet të respektohen plotësisht dhe pa asnjë rezervë”, theksoi BE-ja, duke nënvizuar rëndësinë e ruajtjes së pavarësisë së institucionit dhe respektimit të kuadrit ligjor që rregullon funksionimin e tij.
Në përfundim, Bashkimi Evropian shprehu solidaritetin me të gjitha viktimat, të mbijetuarit dhe familjet e tyre, nga të gjitha komunitetet e prekura nga mizoritë e kryera gjatë luftës.






















